Pavarësisht se Prokuroria e Apelit, kishte kërkuar që për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale, të pushohet procedura ndaj pronarit të kompanisë “Elkos”, njëherësh deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, i cili akuzohet për vjedhje të rrymës, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka konfirmuar aktakuzën ndaj tij.

Kjo gjykatë, me aktvendim e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e të akuzuarit Kelmendi për hedhjen e aktakuzës dhe pushimin e procedurës ndaj tij të ushtruar kundër ish-Prokurorisë Komunale në Prishtinë si dhe gjithashtu si të pabazuar e ka vlerësuar edhe kërkesën e Prokurorisë së Apelit për pushimin e procedurës ndaj të akuzuarit Kelmendi.

Kelmendi akuzohet për veprën penale “vjedhje e rëndë”, për shkak të dyshimit se prej datës së pavërtetuar e deri më 30 qershor 2011, kompania “Elkos”, në Fushë Kosovë, pronë e Kelmendit ka bërë keqpërdorim të energjisë elektrike, duke dëmtuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në shumën prej 22.801.19 euro.

Sipas aktvendimit të gjykatësit Rrustem Begolli, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kjo gjykatë ka gjetur se pretendimet e Prokurorisë së Apelit nuk qëndrojnë me arsyetimin se vepra penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 253, paragrafi 2, pika 1. lidhur me paragrafin 1 të KPK-së, është e dënueshme nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe bazuar në nenin 90, paragrafi 1, nënparagrafi 4, është pesë vjet nga kryerja e veprës penale së dënueshme më shumë se tre vjet burgim, ndërsa sipas nenit 91, paragrafi 6 të KPK-së “ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale).

“Pas analizimit dhe shqyrtimi të shkresave të lëndës, gjykata ka gjetur se kërkesa e të pandehurit në këtë fazë të procedurës penale për hedhje të aktakuzës nuk mund të aprovohet, për arsye se gjendja faktike për ekzistimin ose jo të veprës penale, do të vërtetohet pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, në të cilin shqyrtim duhet të merren në pyetje dëshmitarët Shaqir Demiri dhe Hajrullah Pllana, punëtorë të KEK-ut, distrikti në Prishtinë”, thuhet në aktvendim.

Gjithashtu, aty thuhet se në procedurën e provave do të bëhet shikimi i disa procesverbaleve, rrjedha e njehsorit të energjisë elektrike aktive, disa raporte, fatura e departamentit të faturimit dhe inkasimit e të tjera.

Sipas këtij aktvendimi, gjykata duhet të konstatojë se kush ka qenë përgjegjës në kohën e kryerjes së veprës penale, pasi që në seancën e dytë, të mbajtur më 23 prill 2018, i akuzuari Ramiz Kelmendi, ka deklaruar se në atë kohë përgjegjës kanë qenë Driton Rrahmani dhe Agron Bajraktari. Për të vërtetuar pretendimin e të akuzuarit, në aktvendim thuhet, se gjykata duhet t’i marrë në pyetje Rrahmanin dhe Bajraktarin.

Prokuroria e Apelit kishte dal kundër ish-Prokurorisë Komunale në Prishtinë, e cila më 12 dhjetor të vitit 2012, kishte ngritur aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë “Elkos”, njëherësh deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, i cili akuzohet për vjedhje të rrymës.

Prokurori i kësaj prokurorie, Enver Sokoli, më 22 shkurt të këtij viti, i është drejtuar Gjykatës së Apelit, me propozimin që aktakuza ndaj Ramiz Kelmendit të ndryshohet, të hudhet poshtë dhe të pushohet procedura penale.

Në këtë shkresë të prokurorit, drejtuar Gjykatës së Apelit, që e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, ky propozim arsyetohej me faktin se në këtë çështje ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, pasi që nga ngritja e aktakuzës, më 12 dhjetor 2012, e deri te veprimi i parë i gjykatës së shkallës së parë, më 21 dhjetor 2017, kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet.

Kjo Prokurori, siç thuhej në shkresën e saj, konsideronte se në rastin konkret ka ardhur deri te parashkrimi absolut i ndjekjes penale, për të cilën edhe gjykata e shkallës së dytë kujdeset sipas detyrës zyrtare.

“Duke pasur parasysh nenin 106, par1, pika 1.5 të KPRK-së, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse ka kaluar 3 vjet nga kryerja e veprës penale, e dënueshme me më shumë se 1 vit burgim, ndërsa neni 107, par8 të KPRK-së, ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, meqenëse, dyshohet se vepra penale është kryer deri me datë 30.06.2011, e deri me datën e sotit nuk ka aktgjykim të formës së prerë dhe se prej datës së kryerjes së veprës penale ka kaluar më shumë se 6 vjet, konsideroj se në rastin konkret ka ardhur deri te parashkrimi absolut i ndjekjes penale dhe në këtë mënyrë konsideroj se është shkelur dispozita e ligjit penal, për të cilat shkelje edhe kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare”, thuhej ndër të tjerash në shkresën e prokurorit të shtetit, Enver Sokoli drejtuar Gjykatës së Apelit.

Kurse, në bazë të vendimit të 26 shkurtit 2018, të Gjykatës së Apelit, që gjithashtu e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë kishte marrë vendim me anë të së cilit kishte aprovuar ankesën e Kelmendit dhe kishte anuluar vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer rastin në rivendosje.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsyetim bindës, kur ka hedhur poshtë pretendimet e Kelmendit se për akuzën e prokurorisë, nuk është ai përgjegjës, por nëse ka përgjegjësi penale këtë duhet të kenë personat përgjegjës të kompanisë së tij.

“Gjykata e shkallës së parë përkundër asaj që i pandehuri ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës, me pretendim se për të gjitha pikat e biznesit të tij janë angazhuar personat e autorizuar me kontrata pune, e të cilat sipas të pandehurit duhet të japin përgjegjësi, nëse ka përgjegjësi penale në rastin konkret, e ka refuzuar kërkesën e të pandehurit pa një arsyetim bindës, por vetëm duke konkluduar se për ekzistimin apo jo veprës penale në fjalë do të vërtetohet në shqyrtimin kryesor”, thuhej me tej në vendimin e Apelit.

Sipas Gjykatës së Apelit, veprimet për të cilën akuzohet Kelmendi është një vepër që mund ta kryejnë edhe shumë persona tjerë.

“Kolegji penal i kësaj gjykate, vlerëson se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë në rastin

konkret nuk është i drejtë, për shkak se gjykata nuk është lëshuar fare në faktet kyçe që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë nëse është kryer vepra penale e vjedhjes së rënd nga i pandehuri apo jo, sepse sipas dispozitave ligjore veprimet inkriminuese të pretenduara në aktin akuzues janë veprime që mund t’i kryej çdo person që do të thotë poseduesi i njësorit, mirëpo në rastin konkret nuk përjashtohet mundësia që kryerës i kësaj vepre penale të jetë edhe personi tjetër i cili vepron në interes të shfrytëzuesit të njësorit, pra personi i cili ka autorizim përkatës për përkujdesje në lami të caktuara”.

“Duke pasur parasysh faktin se i pandehuri është pronar i kompanisë “Elkos” përfshin disa pika punuese në tërë territorin e Kosovës, si dhe duke pasur parasysh edhe faktin se nëpër të gjitha pika e tij punuese i ka të angazhuar personat përgjegjës, gjë që ofron edhe prova konkrete në këtë rast dhe atë kontratat e punës, atëherë del se përgjegjës për veprimet e pretenduara inkriminuese mund të bien në barrën e personave përgjegjës të cilët posedojnë kontrata të punës dhe në bazë të kontratave kanë përgjegjësi për punën e tyre, prandaj kjo gjykatë vlerëson se pretendimet ankimore te të pandehurit në këtë drejtim janë të bazuara”, thuhej në vendimin e Apelit, të 26 shkurtit 2018.

Gjykata e Apelit, po ashtu kishte kërkuar nga gjykatësi i rastit që t’i evitojë shkeljet e gjetura nga kjo gjykatë, që të vlerësojë kundërshtimet dhe ankesën e Kelmendit dhe të ketë parasysh propozimin e Prokurorisë së Apelit.

“Ne rivendosje gjyqtari i çështjes duhet t’i eviton shkeljet e theksuara më lartë, të vlerësoj edhe provat e ofruara nga i pandehuri dhe si pas nevojës të ketë parasysh edhe pretendimet tjera ankimore në ankesë, si dhe propozimin e Prokurorit të Prokurorisë së Apelit, e pastaj të merr vendim të drejtë dhe të bazuar konform dispozitave ligjore”, thuhej në përfundim të Gjykatës së Apelit.