Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, Visart Cengu.
Vazhdimin e paraburgimit për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Pas kërkesës së Prokurorisë, gjykata e ka aprovuar vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për 2 muaj“, ka thënë Gashi për Insajderin.
Si ndodhi ngjarja që tronditi Shqipërinë dhe Kosovën?
Natën e 3 janarit, 31 vjeçari Visart Cengu së bashku me dy shokët e tij, kishin dal për t’u argëtuar. Ata kishin zgjedhur lokalin “Kobra City” për ta kaluar natën e tretë festive të vitit të ri.
Fatura në vlerë prej 400 eurosh, u tha se u bë shkas që Visart Cengu, Rufgen Shehu dhe A.B të përleshen brenda lokalit në fjalë.
Në kohën kur të përmendurit kishin dal nga lokali, në parking i kishte pritur Dibran Hoxhaj. Hoxhaj kishte shtënë me armë në drejtim të veturës së tyre.