Gjykata Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Melos Rrustemaj, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, “lëndim i rëndë trupor” dhe “mbajtje e paautorizuar të armëve”.
“Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen tre të dëmtuarit e pas shikimit të video incizimit eventualisht mund të dëgjohet edhe ndonjë dëshmitar që ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës.
Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe me faktin se me gjetjen e të pandehurit në liri, ka arsye për të besuar se i njëjti mund të asgjësojë, fshehë apo të ndryshojë provat e veprës penale. Gjithashtu, pesha e veprave të kryera penale, mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale në qendër të qytetit ku frekuentohet nga një numër i madh i njerëzve si dhe raportet e acaruara mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundoj veprën e tentuar penale apo të kryej ndonjë vepër të natyrës së njëjtë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/