Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale ka konfirmuar se është në proces të intervistimit të dëshmitareve për krimet e supozuara.
“Janë duke u marrë në pyetje dëshmitarët dhe duke u hetuar dëshmi të ndryshme rreth hulumtimeve që po zhvillohen për ngritjen e aktakuzave nga kjo prokurori”, thuhet në përgjigjen dhënë Kallxo.com.
E njëjta sqaron se janë rreth 700 mijë faqe material për ngritje të aktakuzave, dokumente të cilat janë duke u hulumtuar, prandaj edhe siç thotë zëdhënësi i Prokurorit të Specializuar Christopher Bennett, nuk mund të japin detaje rreth tyre në mënyrë që të mos i dëmtojnë hetimet.
“Kjo arrin në rreth 700 mijë faqe material, duke përfshirë rreth 70 mijë dokumente, së bashku me rreth 6 mijë dëshmi të ndërlidhura si video, fotografi, transkripta dhe gjësende të tjera, të cilat aktualisht janë duke u diskutuar dhe vlerësuar. Për të drejtat, privatësinë dhe sigurinë e atyre që mund të preken nga ndonjë aktakuzë, duke përfshirë dëshmitarët, viktimat dhe të akuzuarit, çdo vendim do të merret pas shqyrtimit të plotë dhe të kujdesshëm të të gjitha provave”, vazhdoi ai.
Ata treguan se nuk mund të japin detaje nga zhvillimi i këtij procesi për shkak se mund të dëmtohen hetimet mirëpo, treguan që ZPSK-ja tashmë ka krijuar një platformë komunikimi ku të gjithë qytetarët mund ta kontaktojnë personalisht prokurorin special nëse kanë ndonjë dëshmi apo informacion për të dhënë.
Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, figurojnë vetëm vendime mbi miratimin e rregulloreve të punës së këtyre institucioneve, kodi i etikës gjyqësore për gjykatësit e emëruar, si dhe udhëzues pune për rregulloret e miratuara.
Zëdhënësi i Prokurorit të Specializuar të Kosovës, Christopher Bennett tha për Kallxo.com se ZPSK-ja nuk ka marrë ende ndonjë vendim për ngritjen e ndonjë aktakuze, prandaj edhe nuk mund të jap informacion rreth marrjes në pyetje të dëshmitarëve për arsye të ruajtjes së privatësisë dhe sigurisë së tyre.
“Në përputhje me standardet më të larta të praktikës prokuroriale, ligjit dhe detyrimeve tona ligjore dhe etike, Prokuroria e Specialistëve (SPO) nuk ofron informata specifike për dëshmitarët apo pjesë të tjera të hetimeve tona. Kjo bëhet për të ruajtur integritetin e hetimeve në vazhdim, privatësinë dhe sigurinë e dëshmitarëve dhe personave që bashkëpunojnë me hetuesit. Megjithatë, mund të themi se një pjesë e punës sonë të vazhdueshme përfshin intervistat e dëshmitarëve. Hetimi është duke vazhduar dhe po përparon në mënyrë efektive”, ka thënë Bennetti.
Zëdhënësi i ZPSK-së, tregoi që zyra e Prokurorit Special dhe Task Forca Hetuese Specialiste që ishte në funksion para tyre ka mbledhur prova për ngritjen e aktakuzave për gjashtë vite me radhë.
Sipas Bennettit, rregullat e procedurave dhe provat e Dhomave Speciale përcaktojnë standardet më të larta të praktikës penale ndërkombëtare, prandaj edhe u zotua se do t’i përmbushin ato.
Ai theksoi se aktakuzat do të ngritën vetëm pas përmbushjes së detyrimeve ligjore në mënyrë që të arrihet një gjykim i drejtë.
Përveç kësaj zëdhënësi i ZPSK-së, Bennetti tregoi se Zyra e Prokurorit Special ka krijuar një platformë komunikimi në tre gjuhë, shqip, serbisht dhe anglisht ku të gjithë qytetarët mund të komunikojnë më prokurorët nëse posedojnë çfarëdo informacioni.
“Për këto arsye, një vendim për akuzë merret me përgjegjësi dhe profesionalizëm, me një pamje të qartë se si të përmbushen detyrimet ligjore për të kryer një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme. Kushdo që dëshiron të paraqitet me informacionin përkatës inkurajohet ta bëjë këtë dhe mund të kontaktojë një prokuror ose hetues të SPO nëpërmjet një forme të dedikuar të komunikimit. Të gjitha kontaktet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, përfundoi ai për Kallxo.com.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës(DHSK), Angela Griep tha për Kallxo.com se Dhomat e Specializuara janë funksionale që nga korriku i këtij viti dhe në vazhdimësi janë duke miratuar dokumente ligjore për të rritur efikasitetin e këtij institucioni.
Ndërsa tregoi se gjatë muajit maj të këtij viti, janë publikuar listat e dyta të Mbrojtësve për të dyshuar, të akuzuar dhe viktima ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik para DHSK-së.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor që nga 5 korriku 2017, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Që atëherë DHSK-ja është e gatshme për të pranuar çdo parashtresë përfshirë aktakuzat e mundshme. Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdojnë punën e tyre për miratimin e një numri të dokumenteve ligjore në funksion të rritjes së efikasitetit të institucionit. Lista e të gjitha dokumenteve ligjore dhe parashtresave (përfshirë vendimet) gjendet në faqen tonë të internetit”, ka thënë Griep.