Në Gjakovë nuk u zhvillua seanca e gjykimit të Bajram Rudit që akuzohet se përvetësoi 947 euro.
Bajram Rudi, i akuzuari për keqpërdorim detyre, bashkë me avokatin e tij Teki Bokshi nuk ishin të pranishëm në gjykatë.
Avokati Teki Bokshi e kishte lajmëruar gjykatën për mungesën e tij me arsyen që është i zënë me një seancë tjetër në të njëjtin orar.
Edhe pse nuk ishte i pranishëm në gjykatë, i akuzuari Rudi paraprakisht kishte arritur marrëveshje me shkrim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Për marrëveshjen e pranimit të fajësisë të arritur me të akuzuarin, prokurori Ali Uka sot parashihej ta njoftonte Gjykatën në Gjakovë.
Por, pas mungesës së palëve, gjyqtari i çështjes Shaqir Zika konstatoi se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës gjyqësore, ndërsa e caktoi atë më 17 maj.
E pranishme në gjykatë ishte përfaqësuesja e autorizuar e palës së dëmtuar KRU ”Radoniqi”, Lumnije Këpuska, e cila në marrëveshje kishte deklaruar se i bashkëngjitet ndjekjes penale si dhe kërkesës për kompensimin dëmi.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Bajram Rudi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi duke qenë në pozitën e inkasantit në kompaninë KRU ”Radoniqi-Dukagjini” nga 18 korriku 2016 e gjer më 30 nëntor 2017, ka përvetësuar të holla në shumën prej 947.27 euro nga konsumatorët.
Me këto veprime i akuzuari Bajram Rudi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar./Kallxo.com