Foto ilustrim
Ish-rojtari i depos së destinuar për asgjësimin e barnave me afat të skaduar, që ndodhet në fshatin Mazgit, Atdhedon Podvorica, ka vazhduar dëshminë e tij, në gjykimin ndaj ish- sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Podvorica e kishte filluar dëshminë e tij, në seancën e kaluar që ishte mbajtur më 19 prill të këtij viti, por ajo ishte ndërprerë pasi që mbrojtësit e të akuzuarave Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri, kishin më shumë pyetje, dhe më pas ishte vendosur që dëshmia e tij, të caktohej për datën 3 maj.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Podvorica, është përgjigjur për pyetjet lidhur me akuzën ndaj të pandehurave Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri, të cilat sipas Prokurorisë, si anëtare në Komisionin e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit, i kishin mundësuar kompanisë “KMI” të bënte manipulim me sasinë e barërave që ishin për asgjësim.

Podvorica ka deklaruar se si rojtar kishte mbajtur gjithmonë një fletore në të cilën kishte shënuar të gjitha hyrjet dhe daljet e kamionëve të ngarkuar me barnat me afat të skaduar, të cilat kishin hyrë në depon në Mazgit.

Ai tha se nuk i kujtohet saktësisht se kush kishte hyrë në atë depo, por të gjitha lëvizjet i kishte shënuar në fletore, kurse sipas tij, i kishte parë tri femra të hynin me fleta në duar disa herë në depon në Mazgit.

“Unë nuk kam pasur qasje në depo, por kam parë nga larg se ka pasur brana dhe infuzione në paketat të cilat i kanë sjell kamionët, pasi që paketat kanë qenë të shqyera. Unë i kam vërejtur branat dhe e di se ka pasur infuzione dhe ato barmat pluhur e kam ditë se janë pasi që ka qenë në paketa të shqyera. Personi që vinte për të hapur derën e depos së brendshme ka qenë Labi që shkurtimisht ashtu e njoh, ai ka pasur një veturë të tipit “Golf” ngjyrë të verdhë dhe nuk e di saktë, por ai ka qenë i Ministrisë apo i depos së barnave në Prishtinë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kur policia kishte ardhur e kishte pyetur për fletoren dhe të njëjtën ua kishte dorëzuar atyre.

Detyra e tij, sipas Podvoricës, ishte të ruante objektin dhe të shënonte hyrjet dhe daljet në këtë depo.

Podvorica ka thënë se detyrën për të shënuar në fletore hyrjet dhe daljet ia kishte dhënë shefi i kompanisë së sigurimit “SFK”, Bajram Elshani.

“Prej Bajramit kam marrë urdhër të mbikëqyr depon dhe të shoh se kush hynë dhe kush del 24 orë, unë kam pasur çelësin e dyerve të oborrit dhe askush nuk ka mundur të hyjë pa e hapur unë derën, ndërsa Ministria ka pasur vetëm çelësin e depos së brendshme, e jo të oborrit”, ka deklaruar Podvorica.

Podvorica tha se kamionët që kishin hyrë kishin qenë të mbushur plotë, ndërsa sipas tij, ai nuk kishte pasur autorizim të hynte në depo të Mazgitit por kishte parë se kishte qenë një depo me një aneks me barna pa afat.

Sipas Podvoricës, ai ishte punësuar nga Bajram Elshani, mirëpo nuk kishte pasur kontratë, por vetëm në formë gojore e kishte njoftuar atë që të bënte roje te depoja në fjalë.

Ky shqyrtim këtë të enjte ka filluar rishtas pasi që ka munguar anëtarja e trupit gjykues Altene Murseli, ndërsa në vend të saj ka prezantuar gjykatësi Isuf Makolli, kurse me pajtim të palëve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj ka konstatuar si të lexuara të gjitha veprimet procedurale të ndërmarra më parë.

Pasi që përfundoi orari i paradites seanca, është ndërpre për të vazhduar më 10 dhe 11 maj, nga ora 9:00, ku do të dëgjohet dëshmitari Musa Kadriu dhe do të bëhet prezantimi i provave.

Përndryshe, në seancën e mbajtur më 19 prill, kishte dhënë dëshminë edhe vozitësi i kamionit me të cilin ishin bartur barnat me afat të skaduar për në depon në Mazgit, Ilmi Dragusha, i cili kishe deklaruar ndër të tjerash se në depon në Mazgit sa herë kishte shkuar, tek dera kishte qenë një rojtar i cili sipas tij, e kishte pasur shtëpinë afër dhe herë pas here kishte qëndruar aty.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare. Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë  euro.  Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se  në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit po ashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj./betimiperdrejtesi.com