Edhe pse erdhën nga Liga e Parë, skuadra e Llapit arriti suksese mjaft të mëdha në stinorin vjeshtor të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Ekipi i trajneri Tahir Batatina, e mbylli vjeshtën në pozitën e dytë me 30 pikë, një më pak se lideri Feronikeli (31). Merita të mëdha në këtë sukses padyshim se kishte edhe sulmuesi Enis Zabërgja.
Ai flet për Gazetaolle.com duke komentuar si fillim paraqitjet e tij. “E kam nisur një stinor të mirë dhe jam ambientuar shpejt në skuadrën e Llapit. Kemi arritur mjaft suksese në këtë stinor, edhe pse kemi mundur edhe më shumë, gjithsesi edhe më këto pikë që i kemi mbledhur, jemi të kënaqur”, ka thënë Enis Zabërgja.
Tutje, Enisi foli edhe për mundësitë që ka Llapi për titull. “Duam apo nuk duam, nuk kemi tjetër objektiv. Mendoj se me tre ose katër përforcime dhe duke e njohur ligën tonë, Llapi do të shpallet kampion sepse është ekip me traditë dhe pas Besianës dhe Hysit, mendoj se është radha që Llapi ta sjell titullin në Podujevë”, potencoi ai.
Ndryshe nga Zabërgja, mendojnë shumë analistë të futbollit kosovar që nuk e shohin këtë ekip si shumë serioz në ‘luftën’ për titull. “Në Kosovë ka shumë ekspertë që dinë shumë, por shpesh nuk iu dalin parashikimet. Ne vazhdojnë të marrim pikë, e çka thonë disa ekspertë që e kanë vetëm gojën, nuk është me rëndësi. Ne po flasim në fushë dhe aty po japi përgjegjje”, shtoi ai duke folur edhe për kandidatët kryesor për titull. “Feronikeli do të jetë kandidati kryesor. Aty janë edhe Besa, Llapi por edhe Hajvalia”, përfundoi sulmuesi i mirënjohur, Enis Zabërgja.
Ai në stinorin vjeshtor realizoi katër gola.