Brenda disa ditësh, Sabit Gori duhet t’ia lirojë policisë së Kosovës, parcelën e tokës që ky thotë se e ka blerë nga komuna e Prishtinës në vitin 1997.

Në këtë parcelë që ndodhet në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në kryeqytet, policia do ta ndërtojë stacionin “Veriu”.

E pasi Komuna e Prishtinës nuk po ia njeh pronësinë mbi këtë truall Gorit, ky nga viti 2001 ngriti padi në gjykatë.

Sipas drejtorit të drejtorisë së pronës, Brahim Mehmetaj, parcela në fjalë, në operatin kadastral figuron si pasuri shoqërore e kuvendit komunal dhe si e tillë ajo tashti i është dhënë në shfrytëzim policisë për 99 vjet.

Por me gjithë dëshminë që paraqiti, Gorit iu refuzua si e pabazë kërkesëpadia ndaj Komunës së Prishtinës, nga Gjykata Themelore.

Nga institucioni i kësaj të fundit, Mirlinda Gashi, zyrtare për informim, duke mos dhënë më shumë detaje për arsyetimin e refuzimit të kërkesëpadisë së Gorit, nëpërmjet e-mailit tha se lënda në fjalë është e përfunduar me aktgjykim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës. Sipas saj, kjo lëndë është e formës së prerë me datë 14.04.2015.

Në anën tjetër, polica nëpërmjet një emaili thotë se në procedurë të rregullt ka siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për sigurimin e ngastrës kadastrale për nevojat e ndërtimit të stacionit policor “VERIU” në Prishtinë.

Në polici nuk japin përgjigje nëse kanë përgatitur ndonjë urdhërese me shkrim që obligon Gorin brenda afatit të caktuar të lirojë pronën derisa vetë Gori thotë se pa një të tillë nuk do të lëvizë nga vendi ku po jeton e punon tash e 24 vjet.