Detaje të reja po dalin vazhdimisht pas grabitjes së armatosur që ndodhi dje në hyrjen e qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë.
Nga kjo grabitje, dy persona mbetën të plagosur, derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se njëri nga grabitësit është arrestuar, kurse tre të tjerët janë në arrati.
I plagosur mbeti një 42 vjeçar nga Vushtrria i cili ishte punonjës i kompanisë që po bartte paratë. Ai mori dy plumba në shpinë nga grabitësit dhe i plagosuri tjetër është njëri prej grabitësve, që dyshohet se është i nacionalitetit serb.
E një punonjës i kompanisë që ishte cak i sulmit të djeshëm ka dhënë disa detaje shtesë për sulmuesit.
Genc Berisha nga kompania “Istanbul Ozel Guvenlik” ka thënë se ekipi i tyre është përballur me një sulm të organizuar dhe planifikuar mirë.
Ai tha se sipas kamerave të siguruara ishin katër persona të pajisur me uniforma dhe armë ushtarake AK 47.
“Tani për tani, sipas pamjeve në kamerat e sigurisë rreth 4 persona të pajisur me uniforma dhe me armë ushtarake AK 47 kanë sulmuar në pritje në pritë pjesëtarët e sigurisë te kompanisë tonë në detyrë, me ç’rast te njëjtin janë përgjigjur me armë dhe si pasojë ka mbetur i lënduar njeri nga pjesëtarët e ekipit tonë, edhe 1 grabitës i nacionalitetit serb, deri tani e konfirmuar ! Meqenëse nuk kemi humbje materiale në aspektin e parave gjatë këtij sulmi, dhe bazuar në veprimet e sulmuesve, dyshoj dhe kam arsye të forta të besoj, se ky sulm me së paku ka pasur cak pjesëtarët e kompanisë sonë në vend ngjarje”, ka deklaruar ai.
Përveç punëtorit të kompanisë, i dyshuari tjetër që ka mbetur i plagosur është i nacionalitetit serb, dhe ka kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente në Graçanicë, dhe nga aty është dërguar drejt QKUK-së në Prishtinë, për shkak te gjendjes së rënduar.
Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, ditën e djeshme ka folur shefi i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
Syla ka thënë se gjendja aktualisht po operohet dhe gjendja është e rëndë.
“Po gjendja e tij është e rëndë, është në sallë të operimit”, tha shkurtimisht Syla.
Drejtori i Emergjencës, gjatë ditës kishte konfirmuar se edhe shoferi i plagosur i furgonit që po transportonte para po i nënshtrohej operacionit.
Shoferi ishte plagosur në shpinë me dy plumba.
Lidhur me rastin u deklaruan edhe nga Policia e Kosovës, ku konfirmuan se gjithçka ka nisur rreth orës 10:30 dhe se po punojnë për zbardhjen e rastit.
“Rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, thuhej në njoftimin e policisë.