Asociacioni i Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA) ka lansuar Skemën e Granteve për Zhvillimin e Sektorit Privat të financuar nga BE, e cila ka për synim t’i ofrojë mbështetje ndërmarrjeve ekonomikisht të qëndrueshme dhe krijimit e vendeve të reja të punës. Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një postimi në “Facebook” në faqën zyrtare të Komunës së Podujevës.
Synim parësor i Skemës së Granteve është që të nxisë ndërmarrësinë dhe të gjenerojë punësim në të pesë rajonet ekonomike të Kosovës përmes mbështetjes në themelimin e ndërmarrjeve të reja dhe në zgjerimin e ndërmarrjeve të vogla ekzistuese.
Për jetësimin e skemës së granteve do të përkujdeset Asociacioni i Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA). Zyrat Rajonale të ARDA-s në pesë qendrat e Kosovës: Prishtinë, Pejë, Gjilan, Prizren dhe Mitrovicë do të jenë pikat referente ku aplikuesit e mundshëm do të mund të marrin informacionet e mjaftueshme përkitazi me grantet dhe mbështetjen e nevojshme teknike në procesin e aplikimit.
Grantet do të jenë të hapura si për sektorin e prodhimit ashtu edhe për sektorin e shërbimeve komerciale.
Llojet e granteve:
(Për të gjitha lotet kërkohet bashkëfinancim nga aplikuesit në vlerën 10% – 40%)
Lot 1: Grantet për bizneset e sapo regjistruara (Start-up) në vlerën prej €2,000 deri €5,000
Lot 2. Grante për bizneset ekzistuese (biznese me më pak se 2 vjet veprimtari) në vlerën prej €5,000 deri €10,000
Lot 3: Grante për ndërmarrjet e vogla (me më shumë se 2 vjet veprimtari) në kërkim të zgjerimit në vlerën prej €10,000 deri €20,000
Ftesa për aplikim mbetet e hapur deri më 15 mars 2016 në ora 16:00. Aplikacionet e pranuara pas këtij afati nuk do të merren në shqyrtim.
Asociacioni i Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA) do të organizojë seanca informimi në secilën komunë të Kosovës, në të cilat do të keni mundësinë që të adresoni të gjitha paqartësitë përkitazi me procesin a aplikimit dhe vlerësimit të propozimeve.
Takimi informues, për të gjithë të interesuarit që të aplikojnë në këtë skemë të granteve do të mbahet të hënën me 25.01.2016 prej orës 10:00 në Sallën e Kuvendit Komunal të Podujevës./Llapi.info