Diellza Rama, pjesëtare e Akademisë së Grave për Lidership, e ka konsideruar të paarsyeshëm pushimin në Ditën e Evropës.
Ajo tutje shtoi se institucionet vendore duhet të punojnë për shkak të ngecjeve të shumta, e në veçanti në procesin për marrjen e liberalizimit të vizave.
“Sot kemi organizuar një aksion simbolik kundër Ditës së Evropës, festë kjo që festohet si festë zyrtare ku institucionet tona janë në pushim. Ne e konsiderojmë të paarsyeshme që sot të pushohet, mendojmë që këtë festë duhet ta festojmë me disa aktivitete të ndryshme, mirëpo jo edhe të pushohet, institucionet duhet të punojnë, sepse jemi vendi më i izoluar në botë ku qytetarët e Kosovës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë si pasojë e ngecjes së procesit të liberalizimit të vizave. Jemi dëshmitar të asaj që qeveria ka dështuar të përmbushim edhe një kriter i cili është paraparë nga Bashkimi Evropian e që është lufta kundër korrupsionit, deri më tani nuk janë marr masat adekuate për luftimin e korrupsionit”, u shpreh Rama.
Ajo ka kërkuar nga udhëheqësit e institucioneve vendore që Ditën e Evropës ta largojnë nga lista e festave zyrtare të Kosovës.
Sipas Berita Abazit, studentët janë ata të cilët më së shumti po e vuajnë mos liberalizimin e vizave, pasi që ata janë të izoluar për të studiuar jashtë vendit.
“Ata ballafaqohen edhe me izolimin, mundësitë e shumta, të cilat studentët i kanë që të studiojnë jashtë vendit ku fitojnë edhe bursa të ndryshme por edhe pranohen në seminare dhe konferenca të ndryshme jashtë vendit u anulohen dhe u pamundësohen në momentin kur ata i fillojnë procedurat drejt ambasadave”, ka deklaruar ajo.
Abazi po ashtu tha se gjendjen edhe më të keqe për studentët në Kosovë e bënë edhe përjashtimi i Kosovës nga EQAR, ku tani edhe diplomat e studentëve rrezikohen të mos njihen nga vendet tjera evropiane.
Gabim të madh shpalljen e Ditës së Evropës si festë zyrtare e ka konsideruar edhe gruaja ndërmarrëse, Sanie Hoxha, e cila tha se si pasojë e mungesës së vizave shumë projekte po ngecin.
“Unë mendoj se është një gabim i madh që ne sot pushojmë në vend që të punojmë. Sektori privat sot punon, sektori publik po pushon unë nuk di pse ne duhet me pushua kur nuk i kemi kushtet si i ka Evropa, nuk kemi liberalizim të vizave nuk mund të shkojmë atje ku duam, kemi shumë projekte të ndryshme që ne dëshirojmë të ecim përpara mirëpo për shkak të vizave ne presim në radhë dhe nuk mund ta arrijmë cakun ku ne mendojmë”, tha Hoxha.
Sipas saj edhe festat e shumta zyrtare në vend po ndikojnë negativisht te nxënësit, të cilët po humbin shumë orë mësimore.