Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani Richard Grenell ka bërë të ditur se i ka thënë Kryeministrit Albin Kurti që mbajtja e pjesshme e tarifave ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës.
Në llogarinë e tij në Twitter, Grenell ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk duan t’i çojnë dëm ndihmat nëse lidershipi i Kosovës vazhdon ta dëmtojë popullin e tij në këtë mënyrë.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ne ja kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe të pjesshme janë duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës – dhe SHBA-të nuk do të çojnë dëm ndihmat nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e tij në këtë mënyrë”.
Ky reagim i të zgjedhurit nga Shtëpia e Bardhë për ta ndihmuar dialogun Kosovë-Serbi vjen pasi Erzen Vraniqi – këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti, ka shkruar në Facebook se SHBA-të janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik dhe ta forcojnë sigurinë në rajon.