Greva e paralajmëruar nga SBASHK-u, do të vazhdojë të mbahet në të gjitha shkollat e Podujevës, raporton Llapi.info

Greva e mësimdhënësve ka filluar me kërkesat që koeficienti i pagës për mësimdhënës të ndryshoj, në Ligjin për Paga që është në procedim.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Podujevë, Fadil Halimi, për Llapi.info ka thënë se dita e parë e grevës është mbajtur sipas planit të paraparë. Halimi ka thënë se greva do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Dita e parë e grevës së përgjithshme në shkollat e Komunës së Podujevës është zhvilluar sipas planit të paraparë nga Sindikata e Arsimit Fillor dhe të Mesëm të kësaj Komune. Të gjitha shkollat kanë qenë të hapura, përfshirë edhe paralelet e ndara, prej orës 08:00, kurse mësimdhënësit në shkollat e tyre përkatëse janë mbledhur prej orës 09:00 dhe kanë qëndruar në objektet shkollore deri në ora 12:00. Gjatë komunikimeve me kryetarët e shoqatave të shkollave, nxënësit nuk janë paraqitur fare në objektet shkollore, fakt ky që e ka lehtësuar edhe zhvillimin e grevës”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, paga e një shoferi në Qeverinë e Kosovës është e barabartë me sektorin e arsimit.

“Greva do të vazhdojë edhe në ditët në vijim derisa të plotësohet kërkesa e mësimdhënësve që është ngritja e koeficientit, me ligjin e ri të pagave. Pasi që siç dihet sektori i arsimit është barazuar me shoferët e Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas sindikatës, pagat e parapara për mësimdhënës janë të padinjitetshme për punëtorët e arsimit.

Ndryshe, Ministri i Arsimit në Kosovë, Shyqiri Bytyqi ka apeluar tek Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe tek mësimdhënësit që t’i rikthehen procesit mësimor, pasi greva e tyre sipas tij po shkakton dëme tek nxënësit./Llapi.info