Greva e shoferëve të autobusëve në linjën Podujevë- Prishtinë do të vazhdojë deri në plotësim të kërkesave të tyre, raporton Llapi.info.

Naser Ademi, përfaqësues i kompanisë së autobusëve “Metehia Turs” në një prononcim për Llapi.info tha se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Ai në emër të Shoqatës Transportuese “Trasa Podujevë – Prishitinë” tha se greva po bëhet për shkak të taksistëve ilegal.

“Greva është për shkak të taksive ilegal, të cilët na dëmtojnë, nuk pagujanë tatim shtetëror…Pa na i plotësu kushtet organet kompetente ne nuk e ndalim grevën”, ka thënë Ademi për Llapi.info, duke treguar raste kur persona të caktuar gjatë punës së tyre në kompani të ndryshme, realizojnë edhe aktivitetin ilegal, bartjen e personave.

Një banor i fshatit Lupq, tha për portalin Llapi.info se kishe një orë që ishe duke pritur për të gjetur zgjidhje për të shkuar deri në shtëpi.

“Qe ni orë jom tu prit kishe po vjen najsen e me shku në shpi. Kjo çka po bojnë këta nuk është e mirë, mas pari ktyne që po bajn me taksi duhet me ja u siguru ni punë se as këta për qef nuk po dalin”- tha ndër të tjera ky qytetar.

Llapi.info është duke përcjellur nga afër grevën dhe do të vazhdojë t’ju informojë për zhvillimet e mëtutjshme./Llapi.info