Që nga 14 janari, sistemi arsimor i Kosovës është në grevë të përgjithshme. Greva e mësimdhënësve ka filluar me kërkesat që koeficienti i pagës për mësimdhënës të ndryshoj, në Ligjin për Paga që është në procedim. Kjo grevë do të vazhdojë edhe gjatë javës që po hyjmë nëpër shkollat e Podujevës. Këtë e ka bërë të ditur për Llapi.info, kryetari i Sindikatës së Arsimit në këtë Komunë, Fadil Halimi.

Sipas tij, java e parë e grevës ka dhënë një mesazh të fuqishëm të unitetit, përbuzjes fyerjeve e kërcënimeve, siç e quan e ai, në stilin “Agim Bahtirçe”.

“Punonjësit arsimorë qëndruan një javë të plotë në grevë me shpresën se Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit do të reflektoj më shpejt lidhur me kërkesat e tyre dhe më 21 janar të nisnin procesin mësimor. Pesë ditë mësimdhënësit qëndruan në grevë në vendet e tyre të punës, të cilët dhanë një mesazh të fuqishëm të unitetit, pavarësisht përbuzjes, fyerjeve e kërcënimeve në stilin ‘Agim Bahtirçe’ dhe disa të tjerëve si ai”.

“Në shumicën e takimeve që kam zhvilluar me mësimdhënësit grevistë të shkollave të komunës së Podujevës, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Grevist, ata të vetmen shpresë e shohin në SBASHK. Askush më mirë se ne mësimdhënësit nuk e dinë rëndësinë e humbjes së orëve mësimore të nxënësve gjatë kësaj periudhe të grevës, në të cilën gjendje na ka sjell Qeveria e Kosovës, përkatësisht MASHT-ti duke na ranguar në kategorinë e parafundit të Projektligjit të pagave me një koeficient nënçmues e degradues në krahasim me sektorët tjerë të të punësuarve. Mësimdhënësit po ashtu kanë kërkuar nga SBASHK-u që në asnjë rrethanë të mos tërhiqen nga kërkesa e tyre legjitime, pavarësisht disa zërave të shterur, që vijnë nga ndonjë (pseudo)deputet, ministër apo kryetar komune”, ka thënë Halimi për Llapi.info.

Halimi më tej ka shtuar se greva do të vazhdojë deri në plotësim e kërkesave. Halimi thotë se Këshillin Grevist e kanë vizituar edhe pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë interesuar për kërkesat e tyre dhe për ndërhyrjet ose pengesat eventuale të pushtetit lokal.

“Grevën nuk e ka sjell Sindikata e Arsimit, e cila vetëm i ka artikular kërkesat e punonjësve arsimorë pas shumë përpjekjeve dialoguese me institucionet relevante të Republikës së Kosovës. Sipas sindikalistëve të arsimit llapjanë, përgjegjësi kryesor i kësaj gjendje në arsim është ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyqi, i cili deri më tash është dashur të paraqesë dorëheqjen e tij, si një akt moral. Në të kundërtën Sindikata e Arsimit Fillor dhe të Mesëm në Podujevë do të përsërisë kërkesën për dorëheqjen ministrit të arsimit, e cila është kërkuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të SBASHK-ut, në ditën ku është marrë vendimi për grevë të përgjithshme. Gjatë ditëve të grevës Këshillin Grevist e kanë vizituar edhe pjesëtarët e KFOR-it, të cilët janë interesuar për kërkesat tona dhe për ndërhyrjet ose pengesat eventuale të pushtetit lokal. Punonjësit arsimorë do të vazhdojnë me grevën edhe ditën e hënë dhe ajo do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së vetme, ngritjes së koeficientit për 30 për qind”, tha ai.

Ndryshe, numri i punonjës në arsim, përfshirë këtu mësimdhënësit dhe punonjësit për të cilët kërkohet rritja e koeficienti të pagës në 30 për qind është rreth 27 mijë. Paga mesatare e mësimdhënësve të arsimit fillor dhe të mesëm është nga 420 deri në 440 euro. Derisa, paga e mësimdhënësve në universitete është mbi 1000 euro. Kurse, numri i nxënësve në institucionet e arsimit para-universitar është rreth 370 mijë është, ndërsa 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve./Llapi.info