Shukrie Beraj, dëshmoi sot në Gjykatën e Prishtinës në gjykimin ku bashkëshorti i saj po akuzohet për krime lufte.

Beraj fillimisht u mor në pyetje nga avokati i bashkëshortit të saj, Nebojsha Vllajiq.

Ajo deklaroi se me Skënder Bislimin ka 13 fëmijë dhe se së bashku me të kanë mbledhur kanaqe dhe letra.

Sipas saj, e vetmja arsye që Skënder Bislimi nuk ka shërbyer në ushtri, është për shkak të dokumentacionit.

Ajo theksoi se bashkëshorti i saj nuk ka mbajtur asnjëherë armë në jetën e tij dhe nuk ka veshur uniformë.

Skënder Bislimi pretendon se nuk ka qenë fare në Kosovë në kohën kur Prokuroria pretendon se ka kryer krime në Fushë Kosovë.

Njëjtë tha edhe bashkëshortja e tij. Sipas saj, arsyeja e lëshimit të Kosovës para luftës është për shkak të frikës ndaj serbëve, pasi që emrin dhe mbiemrin e kanë pas të shqiptarëve.

“Fushë Kosovën e kemi lëshuar para luftës, sepse emrin dhe mbiemrin i kemi pas të shqiptarëve, jemi frikësuar nga serbët, e kam lëshuar shtëpinë e i kemi marrë fëmijët”, deklaroi ajo.

Më pas, Beraj u mor në pyetje nga prokurori i rastit, Charles Hardaway.

E pyetur se çfarë raporte ka pasur më familjen Bajrami të cilët i ka pasur fqinjë, ajo tha se kanë pasur raporte të mira.

Dëshmitarja ndër të tjera tha se kanë pasur ofertë për blerjen e shtëpisë nga familja Bajrami, por që prona është ende e tyre.

“Përse nuk jeni kthyer në Kosovë për të shfrytëzuar atë pronë që është ende e juaja?”, ishte pyetja pasuese e prokurorit.

“Në këtë spital kanë kërkuar pare, se vajza më është diagnostifikuar me kancer. Unë e gjendur në këto rrethana kam folur me një person me ia shitë shtëpinë për 40.000 euro. Unë e kam qitë gishtin në një dokument dhe ai mi ka dhënë paratë, a shtëpia jem hala o mbet qashtu. Shtëpia ka mbet sot e kësaj dite ashtu”, u përgjigj dëshmitarja.

Meqë dëshmitarja pretendonte se ka qenë e frikësuar nga serbët, ajo u pyet se përse atëherë kanë shkuar në serbi.

“Se më ka thënë qika ma mirë ikni në Serbi, se emrin e shqiptarit”, u përgjigj ajo, duke theksuar se ka qenë e frikësuar edhe nga serbët edhe nga shqiptarët.

Ndërsa, anëtarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, e pyeti se përse janë frikësuar që të kthehen në Kosovë pas përfundimit të luftës.

“Unë jam tutë valla. Na në Serbi kemi ndjetë te qika e vëllait të Skënderit. Ka qenë lagje rome. Jam tutë nga serbët, kam qëndruar brenda”, vazhdoi dëshmitarja.

Pas përfundimit të dëshmisë së saj, prokurori Charles Hardaway, duke marrë për bazë faktin se EULEX përfundon mandatin në qershor të këtij viti, ai kërkoi nga trupi gjykues që me rastin e transferimit të lëndës tek prokurorët lokal, atëherë t`i jepet kohë që të lexojë shkresat e lëndës në mënyrë që të përgatisë fjalën përfundimtare.

Lidhur me dëshmitarët e tjerë, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, bëri të ditur se për dëshmitaren Silvana Bislimi dhe Ali Bahtijari u revokua vendimi që të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve, meqë nga mbrojtja nuk është siguruar adresa e tyre që gjykata t`i ftojë në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, për dëshmitarin Sabit Jashari do të përsëritet urdhëresa për sjellje me detyrim. Dhe gjykata poashtu, do të kontaktojë me udhëheqësin e stacionit policor përkatës në mënyrë që i njëjti t`i jap arsyet se përse nuk është realizuar urdhëresa e gjykatës.

Poashtu, gjykata njëjtë do të veprojë edhe me verifikimin e vendndodhjes për dëshmitaren Naile Bajrami. Ndërsa, për dëshmitaren Shpresa Gërvalla do të vendoset më vonë.

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve.

Prokurori pretendon se ka prova të mjaftueshme se Skënder Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur e kishin arrestuar Bujar e Haki Bajrami.

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në lagjen Arbëri, ish-Dragodan pas luftës.

Skënder Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës është deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ai ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

Skënder Bislimi është ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi.

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person, Ivan Radivojeviq, me 8 vjet burgim.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur./Kallxo.com