10 vjet i janë dashur Gjykatës që ta vërtetojë se Elhame Maqedonci është trashëgimtare e një prone të bashkëshortit të saj tani të ndjerë.
Më 1995, bashkëshorti i Elhame Maqedoncit, tani i ndjeri Halil, kishte blerë një pronë 500 m2 në Zonën Kadastrale Matiqan, nga Xhafer Obiliqi.
Por problemet për Elhame Maqedoncin filluan kur bashkëshorti i saj, Halili, ndërroi jetë në vitin 1999.
Përveç Halilit, tani më i ndjerë ishte edhe Xhafer Obiliqi, prej të cilin edhe e kishte blerë pronën.
Gruaja e Xhafer Obiliqit, Nafize Obiliqi, sipas shkresave të lëndës që i posedon KALLXO.com, pronën e njëjtë ia kishte shitur Gazmend Rrahimit në vitin 2006.
Nafize Obiliqi kishte arritur ta bënte këtë pasi që, pas vdekjes së bashkëshortit të saj me aktvendim të trashëgimisë e ka bartur pronën në emër të saj në masën trashëgimore.
Se prona e trashëguar nga bashkëshorti i saj i ndjerë i ishte blerë një palë e tretë, Elhame Maqedonci e kuptoi në vitin 2008.
Kështu, Elhame Maqedonci vendosi që të padisë Nafize Obiliqin, së bashku me Gazmend Rrahimin.
Pas një dekade procedurë gjyqësore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e Elhame Maqedoncit, me ç‘ rast edhe ka vërtetuar se e njëjta është pronë e paluajtshmërisë në fjalë.
“Pas njoftimit nga persona të afërt të paditëses në vitin 2008, paditësja (Elhame Maqedonci) është informuar se i padituri Gazmend Rrahimi, e ka blerë nga Nafize Obiliqi të njëjtën paluajtshmëri e cila veç i ishte shitur bashkëshortit të saj nga bashkëshorti po ashtu tani i ndjerë i Nafize Obiliqit”, thuhet në aktgjykim.
Po ashtu, përmes këtij aktgjykimi bëhet e ditur se kontrata e shitblerjes së paluajtshmërisë e lidhur mes të paditurve Nafize dhe Gazmend është e pavlefshme, dhe duke qenë e tillë Gjykata i ka anuluar të gjitha veprimet juridike të ndërmarra mbi bazën e saj.
E gjithashtu, shkalla e parë ka vërtetuar se kjo kontratë është lidhur me keqbesim meqë që të dy kanë qenë në dijeni se kjo paluajtshmëri i ishte shitur njëherë bashkëshortit të Elhames.
Këtij kontesti pronësor i janë dashur 10 vjet për të marrë një epilog, ndonëse ky vendimi ende nuk e ka marrë formën të prerë.
Avokati i Maqedoncit, Adrian Gjoshi, është shprehur i kënaqur me vendimin e shkallës së parë, duke e quajtur vendim të ligjshëm dhe të drejtë.
“Vendimi i shkallës së parë është vendim i ligjshëm dhe i drejtë i cili po ashtu tregon se është administrim i drejtë i drejtësisë civile. Shpresojmë se ky aktgjykim i shkallës së parë të vërtetohet nga Gjykata e Apelit”, ka thënë Gjoshi për KALLXO.com.
Në Gjykatën e Apelit ankesë ka paraqitur përfaqësuesi i përkohëshëm i Nafize Obiliqit, avokati Emrush Kastrati, i cili ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e Elhame Maqedoncit apo të anulohet vendimi i shkallës së parë, e çështja të kthehet në rigjykim.
Përgjigje në ankesë ka dhënë edhe avokati Adrian Gjoshi, i cili ka kërkuar që të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë i cili vetëm se ka konstatuar se prona i përket klientes së tij, Elhames.
Nëse prona do të ishte regjistruar në emër të dy bashkëshortëve, mbase nuk do të përballeshin me gjithë këto procese gjyqësore.
Probleme pronësore pas vdekjes së bashkëshortit lindën edhe për Shyhrete Berishën e Shukrie Berishën.