Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ia ka zgjatur Jovica Stanishiqit qëndrimin në liri të përkohshme në Serbi deri më 10 janar 2019.

Ndaj ish-shefit të Shërbimit sekret të Serbisë Jovica Stanishiqit dhe ish – operativistit të këtij shërbimi, Franko Simatoviq Frenkit, sot ka vazhduar procesi i përsëritur pas pauzës njëmuajshe verore, njofton agjencia serbe e lajmeve Beta.

I akuzuari i parë, Stanishiq, për shkak të sëmundjes, është në liri të përkohshme që nga 21 korriku i vitit të shkuar. Afati me të cilin ishte në lirim të përkohshëm përfundoi më 19 gusht.

Gjykatësit e rastit në Hagë miratuan kërkesën e avokatëve të tij që t’i zgjatet qëndrimi në liri të përkohshme, transmeton Koha.net.

Qëkur është dorëzuar në Hagë, pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit, në vitin 2003, Stanishiq dhe Simatoviq disa herë janë lënë në liri të përkohshme.

Sipas avokatëve të tij, Stanishiq më shumë se gjashtë vjet i ka kaluar në liri të përkohshme e pesë vjet në burg

Stanishqi dhe bashkëpunëtori i tij akuzohen për ndjekje, vrasje, deportim dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë e myslimanë gjatë luftërave në Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë në vitet 1991-95.