Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka ngritur akuza ndaj Hashim Thaçit për vepra penale të pengimit të drejtësisë, sipas një aktpadie të konfirmuar.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin më të fundit të ZPS-së.

Thaçi ndodhej në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës kur iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tre akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.

ZPS-ja është deklaruar edhe lidhur me arrestimet që u bënë gjatë ditës së djeshme.

“ZPS-ja ka arrestuar gjithashtu Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun në Kosovë sipas një fletë-arrestimi dhe urdhri transferimi të lëshuar nga një Gjykatës i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Zotërinjtë Smakaj, Kilaj dhe Fazliu janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të paraqiten edhe ata para gjykatës pa vonesa të papërligjura”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Hajredin Kuçit i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dha ZPS-së mbështetje operacionale dhe logjistike, dhe Policia e Kosovës dha mbështetje operacionale.

ZPS-ja e merr pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”, përfundon njoftimi.