Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. E shumë prej hajnave ‘angazhohen’ sidomos në ditët e festave, kur shumë qytetarë mblidhen në një vend për të festuar, e shtëpitë e tyre mbesin të mbyllura.
Kështu ndodhi në një shtëpi në Penuhë të Podujevës, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë kryer vjedhje në periudhën kohore mes 31 dhjetorit dhe 1 janarit.
Sinjali mëson se pronari i shtëpisë ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se hajnat kanë depërtuar brenda dhe kanë vjedhur stoli ari që kapin vlerën e rreth 20 mijë eurove.
Përveç arit, të dyshuarit kanë vjedhur edhe para të gatshme, mbi 1 mijë euro.
Si rezultat i raportimit, njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’.