Kryetari i Istogut, Haki Rugova, ka munguar të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, me ç’rast edhe ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj tij, në rastin ku ai akuzohet për konflikt të interesit.
Gjykatësi i çështjes, Sylë Lokaj, ka thënë se i akuzuari Rugova kishte kërkuar me anë të parashtresës, më 4 maj të këtij viti, që kjo seancë të shtyhej për arsye se ai nuk ka pasur mundësi që të caktojë avokat mbrojtës.
Sipas gjykatësit Lokaj, të akuzuarit Rugova, do t’i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare, nëse ai nuk e bënë një gjë të tillë.
Pas kësaj, gjykatësi Lokaj, ka marr aktvendim me të cilin seancën e së hënës e ka shtyrë për 21 maj të këtij viti, me fillim nga ora 10:00.
Në këtë seancë, ka qenë i pranishëm edhe prokurori i rastit Agron Matjani.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.
Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit,BetimipërDrejtësi.
Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.
Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.
Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ka fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.