Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova e ka përgënjeshtruar shefin e Grupit Parlamentar të partisë së tij, Avdullah Hoti në lidhje me përleshjen mes zyrtarëve të këtij subjekti në Mitrovicë.

Hoti në një deklaratë të mëhershme kishte mohuar se ishte gjendur aty në momentin kur kishte ndodhur përleshja, mirëpo që më vonë ishte përgënjeshtruar nga mediat.

E të njëjtën e ka bërë sot edhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova.

Ai përleshjen në Mitrovicë e ka quajtur ‘bërllok’, teksa ka thënë se Hoti ishte i pranishëm aty.

“Nëse ata e kanë bërë bërllok atje pikërisht edhe këto fjalë të bërllokut nuk bën me i fol. I keni pa qëndrimet që i kanë marrë aty kryesia e LDK-së, ato janë për ato zgjedhje, janë pezulluar definitivisht dhe do të vazhdojmë me klimë më të volitshme më të mirë, tjetër gjë nuk ka ndodhur”, ka thënë Rugova për Ekonomia Online.

E kur u pyet nëse ka qenë i pranishëm në atë tubim Avdullah Hoti, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, tha se Hoti ishte aty kur ndodhi përleshja ndërmjet delegatëve.

“Ishte zoti Hoti aty, në një pikë në një nëndegë ku ka ndodhur ai eksesi dhe ai ekses do të kalohet gjithsesi”.

Ky është sqarimi që kishte dhënë Hoti përmes Facebook për përleshjen fizike në Mitrovicë:

“Sqarim: unë nuk kam qenë prezent në ngjarjen që po raportohet si përleshje në kuvendin e një nëndege në Mitrovicë. Për të gjitha detajet, Kryesia e Degës së LDK-së në Mitrovicë do të njoftojë opinionin me një deklaratë publike. Unë kam qenë vetëm në hapje të kuvendit, dhe mandej jam larguar”.