Fillimi i vitit 2016 do ta gjejë fshatin Halabak më shkollë të re. Lajmin e ka bërë të ditur, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, në takimin publik që u organizua sot me qytetarë në Kuvendin Komunal, raporton Llapi.info.

“Në fillim të vitit 2016 do të përfundojë ndërtimi i shkollës “Shefki Kuleta” në Halabak”, ka thënë Rudari.
Gurëthemeli për ndërtimin e shkollës në Halabak ishte vënë me 3 nëntor 2015, pak ditë pasi shkollës së vjetër i ishte dhënë flaka nga persona të panjohur.

Me rastin e vënies së gurëthemelit, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ishte zotuar se shkolla do të ndërtohet brenda 45 ditësh.

“Jemi zotuar që brenda 45 ditësh ta ndërtojmë këtë shkollë, një shkollë moderne e cila plotëson kërkesat e fshatit Halabak, në mënyrë që këta fëmijë të kenë ambiente të mira për mësim. Krahas objektit shkollor dëshirojmë të kemi një shkollë cilësore dhe i lus të gjithë mësimdhënësit që pas përfundimit të objektit, të gjithë të punojmë që nxënësve t’iu ofrojmë mësim cilësor, një mësimdhënie të shekullit 21”, pati thënë
Bajrami.

Objekti i shkollës së re në fshatin Halabak do të ketë sipërfaqe bruto 485 m², ndërsa vlera e investimit për ndërtimin e objektit është 194,500.00 euro.

Më shkollë të re në vitin 2016 do të bëhet edhe fshati Bajçinë.

“Me insistimin tonë të vazhdueshëm, kemi arritë që të marrim zotimin e Ministrisë së Arsimit që të ndërtohet një shkollë e re në fshatin Bajçinë.”, ka thënë Rudari./Llapi.info