Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abdulselami Shkodra, sot ka bërë homazhe te lapidari i Heroit të Kosovës, Enver Zymberi, në përvjetorin e shtatë të rënies së tij.
Para menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj nderoi veprën heroike të Enver Zymberit.
“Lavdi për Enverin, lavdi për veprën dhe sakrificën e tij”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka shprehë nderimet më të sinqerta për familjen e policit të rënë në detyrë, Heroit të Kosovës, Enver Zymberi, në shtatë vjetorin e rënies së tij në krye të detyrës dhe në mbrojtje të kufijve të atdheut, të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veriun e Kosovës.
“Enver Zymberi ra duke e mbrojtur Kosovën e pavarur. Lavdi”, tha Kryeministri Haradinaj.
Enver Zymberi, ndërroi jetë më 26 korrik 2011, si rezultat i plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës.