Tryezën e thirrur nga Vetëvendosja, Albin Kurti e shfrytëzoi për të hedhur akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Haradinaj.
Madje për këtë të fundit tha se është vetëm një ushtrues detyre. Pasi sipas Kurtit, “Haradinaj është kryeministër i marrë me qera nga Thaçi”.
“Ai nuk është kryeministër është ushtrues detyre i kryeministrit dhe si i tillë duhet të jap dorëheqje. Haradinaj për karrigë është i gatshëm edhe me formu Zajednicen”, tha Kurti në tryezën e thirrur nga partia që ai e drejton, shkruan lajmi.net.
E përgjigja e Haradinajt nuk ka vonuar shumë. Në një konferencë për media ai ka thënë se Kurti po tenton ta riparojë ndarjen e partisë.
Madje liderin e VV-së e cilësoi si “të papunë”.
“Tani ai është pak si papunë pra duhet t’i riparojë ndarjet në parti dhe po kërkon tema. Kam kaluar nëpër këto që po kalon ai dhe s’kam diçka ma shumë me thanë”, deklaroi shefi i ekzekutivit.
Haradinaj tutje theksoi se ai po punon në shërbim të qytetarëve, dhe askujt tjetër.
Në këtë konferencë për media shefi i qeverisë kosovare foli për vizitën e tij në Vatikan.
Haradinaj u shpreh i bindur se njohja e Kosovës nga Vatikani nuk do të vonohet.