Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në aksionin e pastrimit në kuadër të Task Forcës “Ta pastrojmë Kosovën”, te deponia pranë Stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Falënderoj të gjithë vullnetarët, komunën, rininë e të gjitha partive dhe kompanitë. Është e pakuptimtë dhe këtë gjendje nuk do ta lejojmë më. Në të ardhmen do të ketë edhe masa ndëshkuese”, deklaroi ai.

Po ashtu edhe koordinatori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ftoi të gjithë qytetarët që të vazhdojnë ta ruajnë ambientin, duke theksuar se me pastrim do të vazhdojnë deri më 15.

Rreth kësaj iniciative ka folur edhe këshilltarja e kryeministrit Haradinaj, Arbena Reshitaj, e cila u shpreh se sot më shumë se kurrë po vërehet se sa i rëndësishëm është respektimi i ligjeve mjedisore, implementimi i Udhëzimit Administrativ, i cili është gati dhe shumë shpejt do të miratohet nga Qeveria, për të filluar me ndëshkim për ata që ndotin ambientin.

Aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, iu bashkuan edhe tifozët “Dardanët” dhe vullnetarë të tjerë, si dhe kompani të ndryshme të pastrimit.