Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është parë të jetë tejet i pikëlluar teksa fliste për babain e tij, tashmë të ndjerë, Hilmi Haradinaj.

Haradinaj në homazhet për babain e tij tha se ndarja nga jeta e Hilmi Haradinajt ka shumë porosi, mirëpo më e rëndësishmja sipas tij është se njerëz të cilët besojnë në të drejtën e tyre, ata gjithmonë krijojnë vlera të reja, raporton lajmi.net.

“Ndarja nga babai ynë,nga Hilmiu, ka shumë porosi dhe ndjenja, por ajo që është me rëndësi është se ata që besojnë në të drejtën e tyre, krijojnë edhe vlerë të re, babai ynë në një kohë jo shumë të lehtë arriti të krijojë njerëz që e duan dhe e mbrojnë lirinë”, u shpreh Haradinaj.

“Liria e Kosovës ka ardhur me shumë mund, dhe është si rezultat i shumë mundimeve dhe si rezultat i ndihmës së miqve tanë. Porosia është t’i mbetemi besnik, ashtu si ishte besnik për lirinë babai ynë. U prefsh në paqe plak”, përfundoi Haradinaj.

Babai i kryeministrit Haradinaj ndërroi jetë të shtunën pas mesnate pas një sëmundje të rëndë./Lajmi.net/