Kryeministri Ramush Hardinaj këto ditë është komentuar shumë rreth këndimit të tij që ka bërë në një emision në Top Channel si dhe në eventin e organizuar për abreshët e Italisë.
E lidhur me këtë “pasion”, vetë kryeministri Ramush Haradinaj ka treguar arsyet se përse ai këndon.
Pas mbledhjes së Qeverisë të mbajtur sot, kryeministri ka thënë se këngën e ka filluar në luftë.
“Për ata që duan me ditë pse këndoj. Unë këngën e kam filluar në luftë. Nuk e di a prej frikës a prej trimërisë, por në luftë e kam fillu. Para lufte nuk kam këndu kurrë, në luftë nuk kem pas trumpetë, një alarm, që me na thënë zgjohuni edhe ka qenë kënga kah po shkon moj zanë. Krejt ushtarët e kanë pas mërzi këtë këngë, kur u këndu nëpër vendet ku kanë flejtë ata, ka qenë shumë e tmerrshme me pa, unë nuk kam thanë çohuni, por Kah po shkon moj zanë…”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se këndon se si di, ani pse nuk është këngëtarë: “Këndoj si di , as nuk jam këngëtar, por këndoj çka kam qef, kështu jam….nëse ka komente që nuk i pëlqen dikujt…por besoni që hera e parë që kom këndua në jetë teme u kanë në luftë”, ka thënë Haradinaj.