Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të segmentit të 3-të Bibaj-Doganaj, të autoudhës R6 ”Arbën Xhaferi” të gjatë 11 kilometra.
Para të pranishmëve të shumtë, udhëheqësve institucionalë, ambasadorëve të akredituar në Kosovë, përfaqësuesve të kompanisë Bechtel & Enka, kryeministri Haradinaj tha se gëzimi i sotëm është i përgjysmuar, sepse gëzimin e plotë do ta kemi së shpejti në përfundim të kësaj rruge, njofton Klan Kosova.
”Investimet në infrastrukturë janë të shtrenjta dhe për buxhetin e Kosovës janë obligim i madh, por edhe efektin e kanë të madh në ekonominë e vendit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kjo infrastrukturë e ndryshon pozicionin e ekonomisë në raport me ekonomitë fqinje dhe ato më të largëta dhe investitorët që do të mundnin të investojnë në Kosovë.
Kryeministri tha se një parametër i rëndësishëm për investime, është koha, të cilën e shkurton infrastruktura e mirë, njofton Klan Kosova.
”Kjo infrastrukturë, që do ta përmbyllim edhe në autoudhë tjera të vendit, na pozicionon ne më mirë se shumë ekonomi të rajonit”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se është me rëndësi që Kosova të jetë e përgjegjshme dhe të mos dështojë në asnjë obligim në përfundimin e këtyre projekteve kaq madhore.
Ai siguroi të gjithë se janë të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të këtyre projekteve duke qenë në nivel të obligimeve të marra, që të përmbyllen me sukses të gjitha projektet e nisura si dhe i uroi të gjithë punëtorët për punën e mirë që kanë bërë dhe gjithashtu edhe për festën e Bajramit.
Përurimi këtij segmenti, u bë nën moton e kampanjës ”JO SHPEJTËSISË, PO SIGURISË”.