Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Italia ka qenë tejet e rëndësishme për shtetndërtimin e Kosovës.
Këtë e ka thënë në një takim me ministren e Mbrojtjes së Italisë, Elisabetta Trenta.
Sipas njoftimit nga qeveria, “Haradinaj e ka njoftuar ministren Trenta për zhvillimet e fundit politike në vend, përmirësimin e situatës së sigurisë, ndërtimin e raporteve të mira me fqinjët, dhe për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e një sistemi të mirë në sundimin e rendit dhe ligjit”.
Duke vlerësuar rolin e madh të Italisë për progresin e Kosovës, Haradinaj shprehu përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë me Italinë, duke kërkuar mbështetjen e Italisë në proceset e rëndësishme për vendin, me theks të veçantë për tranzicionin e FSK-së në ushtri të Kosovës.
“Italia ka luajtur një rol të rëndësishëm në konsolidimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Mbështetja e shtetit italian është e nevojshme edhe tani në hapat që jemi duke ndërmarrë për krijimin e ushtrisë së Kosovës, procesin e integrimeve euro-atlantike të Kosovës, por edhe në anëtarësimin në INTERPOL dhe në organizatat tjera ndërkombëtare”, ka thënë Haradinaj, duke theksuar gatishmërinë e Kosovës që të shërbejë krah ushtrive në botë.
“Duhet të jeni krenarë me ushtarët tuaj që i keni dërguar në Kosovë. Ata kanë shërbyer me profesionalizëm dhe dinjitet dhe i kanë dhënë imazhin më të mirë vendit tuaj. Kosova është e gatshme t’i bashkohet misionit të NATO-së në ofrimin e paqes në botë”.
Trenta në anën tjetër theksoi përkrahjen e mëtejme të Italisë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Në takim të pranishëm ishin edhe ministri i Forcës së Sigurisë në Kosovë, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, Gjeneral Lejtënant, Rrahman Rama dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Po ashtu u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë.