Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është kritikuar për takimin me Milan Radojiçiq- figurë e përfolur e komunave veriore të udhëhequra nga serbët.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është kritikuar përsëri për takimin me një figurë të diskutueshme dhe ndërmjetësues të pushtetit në komunat veriore të drejtuar nga serbët, Milan Radojçiq.
Kreu i partisë serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Srpska, Goran Rakiq dhe Milan Radojiçiq- i cili kohëve të fundit u zgjodh nënkryetar, u takuan me Haradinajn të enjten në zyrën e tij.
Në një deklaratë u zbuluan vetëm disa detaje, duke përmendur vetëm se “ata diskutuan gjendjen e përgjithshme në Kosovë me një theks të veçantë në aspektet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe social”.
Edhe pse Radojiçiq është nënkryetar i Listës Srpska ai mori fokusin kryesor të takimit.
Një deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Armend Zemaj, akuzoi Haradinajn për mbajtjen e një “pritje solemne” për Radojçiq , duke iu referuar atij si “të dyshuar për krimin e organizuar, grabitje, dhunë dhe nxitës i frikës së qytetarëve të veriut të Mitrovicës”.
Analisti politik, Imer Mushkolaj po ashtu dënoi këtë akt pasi u publikua fotografia që tregonte Haradinaj dhe Radojiçiq.
“Bossi i veriut të vendit dhe i punëve të pista, Milan Radojçiq , mirëpritet në zyrën e kryeministrit.”, shkroi Mushkolaj në Facebook.
Emri i Radojiçiq u përmend nga politikani i ndjerë serb Oliver Ivanoviq, i cili u vra në janar, në intervistën e tij të fundit me BIRN-in, si figurë kyçe dhe mbajtëse e vërtetë e pushtetit në veri të Kosovës.
“Qendra e pushtetit nuk është në ndërtesën e bashkisë – sepse ndërtesa e komunës i takon kësaj qendre tjetër informale të pushtetit”, duke ju referuar Radojiçiq.
Pas vrasjes së Ivanoviqit, një tjetër politikane e rëndësishëm serbe e Kosovës, Rada Trajkoviç, tha se Radojiçiq “kontrollon jetën” në Kosovën veriore të drejtuar nga serbët.
“Ai është duke e kontrolluar plotësisht jetën në veri, duke vendosur për të mirën dhe të keqen”, tha Trajkoviç për Radojiçiq në TV N1 .
Haradinaj e ka takuar Radojiçiq më parë, në korrik të viti 2017.
Presidenti pyetet për Radojçiqin, thotë se s’takohet me ata që kanë probleme me ligjin
Presidenti Thaçi gjatë qëndrimit në fabrikën e Frutomanisë në Kravaricë të Gjilanit është pyetur edhe pse nuk është takuar me Listën Serbe këto ditë, sikurse liderët e tjerë institucionalë.
Thaçi ka thënë se takohet me përfaqësuesit politikë të të gjitha partive politike shqiptare dhe joshqiptare, por jo edhe me ata që kanë probleme me ligjin, pavarësisht etnisë që mund të kenë, duke lënë të nënkuptohet se nuk ka pranuar ta pres në takim Milan Radojçiqin e Listës Serbe.
“Unë takohem me përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare dhe joshqiptare. Takohem për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të institucioneve të vendit në procesin euroatlantik që na pret sot dhe nesër apo tash në këtë moment shumë të rëndësishëm që e kemi edhe për liberalizimin e vizave, por edhe për të komunikuar dhe për t’iu shërbyer të gjithëve. Natyrisht se çdo përfaqësim politik që kërkon takim në Presidencë, verifikohet përbërja e delegacionit, kështu që ata që kanë probleme me ligjin, nuk mund të jenë prezentë në takimet që mban presidenti i vendit, pavarësisht nga etnia që mund të kenë”, ka thënë presidenti Thaçi.