Kryeministri në detyrë dhe i nominuari i koalicionit AAK-PSD për kryeministër, Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në Podujevë, njofton Llapi.info.
Me këtë rast, Haradinaj ka bërë homazhe përpara shtatoreve të heronjve llapjanë, ku edhe ka mbajtur një fjalim.
Lexo edhe: Qeveria “gjigante” e Haradinajt, nuk punëson asnjë llapjan! (Lista e emrave)
“Ajo që është arritur nuk do të preket më! Në gjithë historinë e shqiptarëve, Llapi ka dhënë kontribut të çmuar për liri. Në nderim të angazhimit të tyre deri në flijim për të drejtën e kombit sot kam bërë homazhe te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Po sot, në nderim të veprës heroike të prijësit guximtar të kryengritësve të viteve ’80, kam bërë homazhe te shtatorja e Ali Ajetit. Sakrifica e brezave të tërë për të drejtën tonë për të jetuar të lirë na obligon sot ta ruajmë Kosovën të paprekshme. Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që u flijuan për Atdhe”, ka shkruar Haradinaj.
Kurse, në një takim me qytetarët e Podujevës, ka numëruar rreziqet në të cilat ishte Kosova e të cilat sipas tij i zgjidhi gjatë mandatit si i pari i Qeverisë.
“Ne duhet të jemi populli i Kosovës. Kemi kryer punë me besnikëri, jo me hile. Kosova ishte në rrezik të copëtohet, ishte në rrezik të ndodhë lëvizje e kufirit. Ishim në rrezik të ktheheshim më 16 shkurt 2008 por e tejkaluam. Kosova ishte në rrezik me u mbajt pezull padrejtë, për ushtrinë e vet. E tejkaluam, e kemi ushtrinë tonë. Kosova ishte në rrezik që disa pasuri të veta të bëhen të përbashkëta me fqinjin tonë, si rasti i Trepçës. Janë 100% të Kosovës. Shteti ynë ishte në rrezik të mbetej veç si konsumator që blen mallin e huaj e që punojmë për të tjerët. Definitivisht kemi treguar që kemi vetëdije dhe kemi mend. Dimë me vendos në përputhje me të drejtën tonë. Nëse kemi ditë t’i bëjmë këto punë pa hile ndaj vendit, me shumë sakrifica, atëherë po ju pyes: ‘a dimë ta bëjmë edhe zhvillimin ekonomik, ta përmirësojmë shëndetësinë, arsimin, ta luftojmë korrupsionin. Dimë dhe mundemi”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai në fund kërkoi përkrahjen e qytetarëve të Podujevës më 6 tetor, kur edhe mbahen zgjedhjet për Kryeministër./Llapi.info