Ish-kryeministri i Kosovës, njëherit kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është pritur sot në Departamentin e Shtetit nga emisari amerikan, Gabriel Escobar shef i Zyrës për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
Këtë e ka bërë të ditur vet Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“ Në Departamentin e Shtetit u prita sot në takim nga emisari amerikan Gabriel Escobar Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë”, ka bërë të ditur Haradinaj.
Ai ka thënë se me emisarin amerikan kanë biseduar për politikën e jashtme të Kosovës, veçmas për sigurinë.
“Biseduam për temat e politikës së jashtme dhe sigurisë në Kosovë, dhe ripërsërita përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke dhe respekton integritetin, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Theksova se kjo gjë mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën”, ka përfunduar Haradinaj.