Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka treguar për takimin e sotëm të krerëve institucionalë – takim që vjen pas dy takimeve të ngjashme që kanë ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme.
Në këto takime u bë e ditur se u diskutua për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi si dhe takimin e radhës (atë të 7 shtatorit) në Bruksel.
Haradinaj në një konferencë për media pas takimit të sotëm tha se nuk ka pasë përplasje me presidentin Hashim Thaçi dhe se secili ka treguar qëndrimet e tij, njofton Klan Kosova.
“Vërtetë që ka pasë secili disa pozicione të caktuara, jemi në prag të një dakordimi për drejtimin që do të ecim bashkë, si institucione”.
“Takimi i fundit ishte më shumë për të konfirmuar, nuk ishte përplasje. Dje dhe pardje ka pasë diskutime të hapura por sot ishte një konfirmim për më tutje”.
I pari i ekzekutivit kosovar duke folë për çështjen e kufijve, ka thënë se nëse hapet kjo temë, ai nuk do të jetë më pjesë e diskutimeve.
“Unë ju siguroj që pozicioni im është i qartë – në atë moment që hapet kjo temë, nuk jam më në atë tavolinë. Nuk do të qëndroj në një tavolinë ku hapet kjo temë”.
Kryeministri i vendit ka thënë se nuk ka shumë kohë për të qenë pjesë e dialogut në Bruksel por megjithatë nuk e ka mohuar se mund të jetë pjesë në këtë fazë të fundit të bisedimeve.
“Unë nuk e mohoj asnjëherë kryerjen e funksioneve që më jep Kushtetuta si kryetar i qeverisë. Për dialog nuk kam shumë kohë, kam probleme me kohën”.
“Do të isha më i kënaqur sikur të shkonte Avni Arifi sepse ai e mbulon pjesën profesionale ose do të mund të dërgoja ndonjërin prej zëvendësve të mi. Nuk kam aq shumë kohë realisht për këtë”.