Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj sot ka takuar banorët e fshatit Sekiraqë të Podujevës, me të cilët ka bashkëbiseduar për temat e ndryshme, njofton Llapi.info.
Haradinaj në këtë takim tha se përkrahjen në Podujevë duhet ta marrin pikërisht kandidatët nga treva e Llapit.
“Nuk është e lehtë në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk do të ishte keq që votat t’ia jepni njerëzve të juaj, do të thotë të Llapit. Nuk është hajt kushdo që të bëhet njësoj është, nuk është qashtu”, ka thënë Haradinaj.
I pari i AAK-së, parti kjo e cila në zgjedhjet e 6 tetorit garon në koalicion me PSD-në, ka folur edhe për kundërshtarët politikë dhe premtimet e tyre.
Ai ka thënë se qeverisjen me PDK-në e ka ndërprerë sepse kjo parti, siç ka thënë ai, është treguar e paqëndrueshme atëherë kur i është dashur vendit më së shumti.
“Kam punuar me PDK-në, në momente kyçe s’janë treguar të qëndrueshëm, bash kur ish më së ndjeshmi ata i lypshin skajet – qoshet. Ashtu nuk bëhen punët e vendit, kur o puna për zor që thotë populli aty duhet me kanë. Tash po del po thotë e luftojë korrupsionin po më duket 1 prilli, kur po thotë Kadriu e luftojë korrupsionin tamon 1 prilli”, ka thënë ai./Llapi.info