Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i pyetur për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë ka thënë se një gjë e tillë nuk ka rëndësi.

“Ideja është që nëse rrëzohem unë ose ndonjëri prej neve, me rëndësi Kosova me mbet në këmbë. Nuk është me rendësi kush rrëzohet e çohet”.

Ai ka thënë se e mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë në kuadër të arritjes së një marrëveshje finale, njofton Klan Kosova.

“Unë jam i interesuar që të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë për njohje reciproke, një marrëveshje obligative dhe ligjore – kuptohet pa çmimin e territorit dhe Zajednicës”.

“Nuk jam kundër dialogut, jam për marrëveshje por nuk mund të kthehemi para 17 shkurtit 2008. Do ta jap edhe unë ndihmën time maksimale që të arrihet një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës sepse mendojmë se është në interesin tonë, po ashtu”.

Haradinaj ka thënë se vendosja e taksës 100 % për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është vendim sovran i Qeverisë së Kosovës dhe se nuk duhet të ndikojë në dialogun me Serbinë.

“Nuk ka arsye që të përzihen temat. Ne nuk e kushtëzojmë dialogun me ndonjë vendim të Qeverisë së Serbisë – ka pasë në të kaluarën plot vendime të Qeverisë së Serbisë dhe ne asnjëherë nuk e kemi kushtëzuar dialogun”.

“Nuk e kuptoj pse ndërlidhen temat. Ky është një vendim i Qeverisë së Kosovës – jam që të kthehet dialogu dhe tavolina që të arrihet një marrëveshje por vendimet tona janë vendime sovrane të Kosovës”.