Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk kanë marrë nga kryeministri Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani një marrëveshje politike për të votuar presidenten.

Ai ka thënë se ende mbajnë qëndrimin e njëjtë karshi çështjes së presidentit dhe nuk do ta votojnë atë.

Haradinaj tutje përmes një konference ka folur edhe për ngritjen e çmimit të energjisë me procesin e liberalizimit të tregut në Kosovë.

Ai ka thënë se kjo rritje i godet konsumatorët industrialë veçanërisht ato prodhuese dhe përpunuese dhe në të ardhmen e afërt godet të gjitha familjet.

“Duhet të rishikohet i gjithë procesi të merren parasysh rrethanat e reja që do të mund ta ndihmojnë këtë proces. Të revokohen licencat e operatorëve të licencuar. Duhet të rishpallet thirrja që të licencohen kompani të tjera. Absurde është që nuk u licencohet kompanive kyçja në treg e energjisë solare të cilën ata e kanë ndërtu me kapacitetet e veta. I bëj thirrje qeverisë që të marrë masa sa më parë sepse besoj që këtë çështje mund të kryej për dy tri ditë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se në zgjedhjet e brendshme do të diskutohet nëse ai do të jetë kryetar i AAK-së.