Pavarësisht premtimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për uljen e çmimit të rrymës, qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të paguajnë shtrenjët energjinë elektrike.

Vetëm tre muajt e fundit kosovarët kanë paguar 2.5 përqind më shtrenjtë rrymën se sa në muajin mars.

Gazeta Alo ka kontaktuar Zyren e Rregullatorit të Energjisë, se a do të ketë zbritje të energjisë elektrike ku këta të fundit kanë thënë se ky proces po shqyrtohet.

ZRRE thotë se përcaktimi i çmimit të energjisë për zbritje apo ngritje merr kohë disa muaj.

Ata thonë se për momentin nuk mund të deklarohen se si do të lëvizin çmimet për energjinë elektrike në muajt në vazhdim.

” Sa i përket çmimit të energjisë, ZRRE nuk mund të deklaroj tani se sa do të jetë çmimi i ardhshëm sepse ende nuk kanë përfunduar procedurat e shqyrtimit. Përderisa për procedurat e përcaktimit të çmimit ato janë të bazuara në Ligjet e energjisë, rregullat sekondare për shqyrtimin e çmimeve dhe procedurat e shqyrtimit të cilat janë procese që zgjasin për disa muaj deri në vendimet finale te cilat merren nga Bordi i ZRRE. Te gjitha ligjet rregullat dhe proceset e shqyrtimit janë të publikuara në faqen elektronike të ZRRE”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Sipas ZRRE-së, tarifat për energjinë elektrike ndahen në dy sezone. Sezonin dimëror dhe atë veror.

Grupi tarifor në amvisëri ka këto tarifa;

Për 200 kilovatët e parë tarifa mban shifrën B1, për të cilën konsumatori do të paguajë gjatë tarifës së lartë (07:00 – 22:00) 5.55 centë dhe kjo tarifë shifrohet me A1B1 (A1 për tarifën e lartë prej orës 7 deri në 22, ndërsa B1 për tarifën prej 0 deri në 200 kilovat në muaj) , ndërsa gjatë tarifës së ulët çmimi është 2.79 centë dhe shifrohet me A2B1.

Gjatë verës A1B1 kushton 3.99 centë për kilovat në orë, ndërsa A2B1 kushton 1.99 centë.

Kilovatët mbi 200 deri në 600, tarifë kjo e emëruar B2, gjatë sezonit të dimrit do të paguhen gjatë tarifës së lartë (A1B2) 7.70 centë, ndërsa gjatë tarifës së ulët (A2B2) 3.86 centë për kilovat në orë.

Gjatë verës A1B2 kushton 5.51 centë për kilovat në orë, ndërsa A2B2 kushton 2.76 centë.

Tarifa mbi 600 kilovatë emërohet me B3, ndërsa paguhet gjatë tarifës së lartë (A1B3) me 11.17 centë, ndërsa gjatë kohës së tarifës së ulët (A2B3) kushton 5.58 centë.

Gjatë sezonës së verës A1B3 kushton 8.00 centë, ndërsa A2B3 4.01 centë. Përveç kësaj, secilës faturë në fund i shtohen 2.27 euro pagesë fikse mujore si dhe 18 për qind TVSh.