Kuvendi sot mbajti seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës, shpalosja e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se ky program nuk ka të bëjë fare me plan qeverisës.
“Ky Program është kryesisht ideor dhe se nuk i përngjan një plani qeverisës, për fat të keq ka mungesa të mëdha në këtë drejtim, dhe u kisha dhënë një këshillë që të hartohet një plan implementues”.
Haradinaj tha se duhet të ketë një plan veprimi të detyrave qeverisëse, me afate kohore, me kosto dhe me matjen e efektit, se çfarë do të ndodhë me veprime të tilla.
Më tej Haradinaj tha se kjo është një punë që mund të bëhet shumë lehtë, sepse qytetarët duhet të dijnë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Tutje Haradinja tha se nëse Programi lihet në këtë mënyrë si është tani, është rrezik që ministrat mbeten pa detyra konkrete dhe se mbeten të lirë të përzgjedhin vetë dinamikën e punës se sa shpejtë do të kryjnë detyrat, me çfarë kosto dhe me çfarë efektesh do kryhen punët.
Duke theksuar se Programi nuk ka plane të caktuara se si do zhvillohen pikat e hartimit të planeve, Haradinaj tha se kjo rrezikon që dhe vetë qeveria të mos e kuptojë as vet që nuk është në dinamika të mira qeverisëse në atë se çka ka marrë obligim dhe se kështu pasojat do i vuajnë të gjithë.
“Ne hetojmë një shpërputhje, përshembull qëllim qeverisës e shohim deri diku një dëshirë për nisje me përmisua gjendjen që e keni trashëguar nga qeveritë e këqija të kalume, fal dëmeve e abuzimeve që kanë ndodhur e gjitha këto i konstatojmë, e i konstatoni në vazhdimësi, si do e bëni dhe ku do e marim ne diferencën e qeverisjes së mirë tani që ka ardh në përgjithësi, me këtë mundet mos me u pa edhe suksesi juaj potencial, nëse nuk e ke prerë me thënë e kemi marrë në këtë gjendje dhe e kemi sjellë në këtë gjendje, nesër e ke të vështirë me e bind qytetarin dhe neve që është rezultat i juaji, sepse mund të trashëgojmë të gjithë atë rezultat”, tha Haradinaj.
Haradinaj theksoi po ashtu se nuk është në rregull largimi i memorandumeve nëpër komuna, sepse siç tha ai dihet se nuk janë të mjaftueshme financat dhe kjo e mposhtë ekonominë, mirëpo largimi i tyre nuk është zgjidhja nëse nuk mund të zbatohet brenda vitit, mund të zgjatet për dy apo tri vite.
Haradinaj tha se duhet kujdes i shtuar në kalkulimin se si hiqen parat.
“Rruga Deçan-Plavë nuk është rrugë për deçanasit, ajo është rrugë që i lidh popuj që i ka ndarë gjeografia, që i ka ndarë natyra, që i kanë ndarë pushtuesit, është e dhimbshme tash të marrin vesh malësorët e Malit të Zi se qeveria që sot ka një kryeministër shqiptar me origjinë të Malit të Zi, u’a heq paratë, u’a keni heq në qeverinë e parë që keni ardh e prap jeni duke u’a heq”.
“Nëse ke ndonjë plan me i gjujt përgjegjësit, siç keni bërë herën e parë mbas 50 ditësh, tregona gjithë neve që t’a dijmë se nuk është puna tek qeverisja, nëse e keni plan me ndejtë gjatë këtij mandati sa t’a ka caktu qytetari, ju lutem mos i zhgënjeni qytetarët”, tha në fund Haradinaj.