Ramush Haradinaj e ka prezantuar si arritje të Qeverisë dyfishimin e pagave për zyrtarët qeveritarë. Ka premtuar se rritje të pagave do të ketë edhe për mjekë e arsimtarë pasi të miratohet Ligjin për Nivelizimin e Pagave.
“Pagat në sektorin publik janë rritur. Jemi në proces me Ligjin për nivelizimin. Do të ketë rritje edhe për mjekët dhe arsimtarët. Gjyqtarët dhe Prokurorët kanë pasur rritje me rritjen e fundit”, ka thënë Haradinaj, në një tubim partiak.
Me këtë rast, Haradinaj, ka konfirmuar se pagat e zyrtarëve të Qeverisë, Prokurorisë dhe Gjykatave do të merren me rritje, ashtu siç kishte vendosur para gjashtë muajsh.
Shefi i Qeverisë pritet të ketë pagë 2950 euro, ndërsa ministrat deri në 2 mijë euro. Më këtë vendim edhe shoferët në Qeveri do të marrin pagë më të madhe se 700 euro, aq sa paguhet një kirurg në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.