Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot në orët e paradites me Papa Françeskun.

Takimin e ka konfirmuar për lajmi.net nga Vatikani, Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës.

Në takim është biseduar për tema të përgjithshme, ndërsa Haradinaj e ka falënderuar Papën për pritjen.

Po ashtu, kryeministri e ka falënderuar Atin e Shenjtë për përkushtimin e tij në raport me vlerat e përbashkëta.

Më vonë gjatë ditës pritet të lëshohet komunikata për media si dhe fotografitë nga ky takim.

Dje, kryeministri Haradinaj, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Vatikan, është takuar me Sekretarin e shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, të cilit i ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu, Haradinaj në orët e pasdites së djeshme ka takuar Arbëreshët e Italisë, të cilët tha se ndër shekuj e kanë ruajtur identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare dhe kristiane.