Krerët institucional, kanë përsëritur se Kosova mund të udhëtojë lirshëm deri në fund të këtij viti.
Këtë ata e kanë theksuar gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë që u organizua për nderë të ditës së Evropës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se brenda këtij viti Kosova do marrë lajmin e merituar, pasi edhe janë bërë lëvizjet e duhura në këtë drejtim.
Kështu, ai ka treguar më tej edhe rolin e të rinjve në shoqëri, për të ndihmuar në rrugëtimin e mëtejmë drejt Bashkimit Evropian.
“Evropa është skeptike në zgjerim, nuk është aq entuziaste, nuk e ka me neve, por për çështje të veta të brendshme. Pesë vende të BE-së nuk na ka njohur, për këtë është pak më i komplikuar partneriteti me Kosovën. Mendoj se e kemi kthyer dinamiken, raporti i fundit tregon se Kosova është në hartë, jemi pak më të vonuar por jo të pabarabartë. Tani jemi në një fazë ku kanë qenë vendet tjera paraprakisht, para se të jenë në këtë pikë që janë në BE. Besojë këtë vit do marrim lajmin e merituam për liberalizim të vizave. Çka është me rëndësi, nuk guxojmë t’ia rrisim evropianëve skepticizmin, që e kanë pak tani. Ata nuk donë me prish rehatinë e vet për këtë ne duhet të kemi kujdes. Nuk guxojmë të shkojmë në drejtim që nuk respektohen të drejtat njerëzore, gjinore, të mediave, të mos shkojmë nga fanatizmat fetar, pasi ata shihen keq. Pra duhet të kemi një kujdes të përbashkët, edhe ju të rinjtë duhet ta keni këtë parasysh”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, ministrja e integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka thënë se pas kësaj, duhet të vazhdohet për përmbushjen e hapave tjerë.
Ajo shpreson që në vitin tjetër të punohet në marrjen e statusit kandidat të BE-së.
Ndërsa, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka treguar se sa është bërë në luftën kundër korrupsionit.
Ai ka inkurajuar të rinjtë të ndihmojnë në luftimin e korrupsionit.
“Krimi organizuar dhe korrupsioni, është kancer. Inkurajoni edhe prindin e juaj dhe gjithë shoqërinë, që ata ta ndalin rriten e Kosovës. Ne nuk jemi inferior në kuptimin e rezultateve që kemi në këtë fushë. Nuk është një luftë që përfundon me një çështje. Ato zhvillohen, duhet të jetë permanente. Ne e kemi një grup faktmbledhës nga BE i cili do dalë me të dhëna mbi gjendjen reale. Por duhet të ceket se atë çfarë ka bërë Kosova në këtë drejtim nuk është për t’u nënvlerësuar. Nëse ka kancer në një shoqëri, është krimi dhe korrupsioni”, ka thënë Veseli.