Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, tha se beson që vendimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i bojkotuar votimet në Kuvend është si pasojë e mungesës së liderit të saj, Isa Mustafa.

Ai tha se mospërkrahja e fondeve të IPA-s, jo vetëm që mund të rrezikojë marrjen e tyre, por edhe përçon një mesazh të keq sa i përket liberalizimit të vizave.

“E kam një grup që i ka trajtu këto raporte, në përgjithësi hetohet një seriozitet në punën e tyre”.

“Është i çuditshëm ky vendimi i LDK-së që mos me i votu. Kjo mundet me qenë pasojë që Isa është smut e nuk e po mundet me udhëheqë mjaftueshëm e të tjerët janë në garë kush po bëhet kryetar i LDK-së e nuk po dinë me i nda temat”.

“Ka rrezik me humbë, por është edhe porosi e keqe për liberalizimin se ti nuk po i pranon paret e Evropës”, ka shtuar kryeministri i vendit.

Haradinaj përmendi edhe një herë deklaratën e zëvendësministrit, Gjergj Dedaj, për të cilën tha se Qeveria e Kosovës do ta sqarojë këtë situatë, e më pastaj do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm.

Haradinaj ritheksoi se si qeveri distancohen nga deklarimet e tilla.

“Ne kemi bërë një deklaratë sot se na duhet me e sqaru saktë çka ka thanë e ku e ka thanë e nuk guxojnë se po thuhet që ka shumë fake news në Kosovë. Si qeveri e Kosovës është e papranueshne gjuha fyese urryese për secilin popull në botë. Ne distancohemi nga këto deklarime të kujtdoqofshin. Do të reflektojmë me ato që kanë ndodhë, por njëherë s’mund të themi asgjë”.