Kryeministri Ramush Haradinaj, ka takuar përfaqësuesit e sindikatës dhe zjarrfikësit e Kosovës që kanë protestuar para Qeverisë, me të cilët ka diskutuar rreth zgjidhjes së statusit dhe kërkesave të tyre.
Haradinaj u premtoi se brenda dy javësh kërkesat e zjarrfikësve do të diskutohen në mbledhjen e qeverisë dhe do të ofrohet zgjidhje për këtë sektor mjaftë të rëndësishëm për vendin.
“Qeveria e Kosovës është shtëpia e juaj dhe nga këtu do të gjendet zgjidhja për problemet që i keni, e të cilat datojnë që nga viti 2008”, tha ai
Meqenëse në Kosovë numri i zjarrfikësve nuk është shumë i madh, kryeministri tha se është më lehtë i menaxhueshëm dhe kërkoi nga ta mirëkuptim, pasi që Qeveria është në hartim të një koncept dokumenti i cili do të rregullojë në mënyrë afatgjate problemet me të cilat ballafaqohen zjarrfikësit në Kosovë.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, numëroi disa nga kërkesat prioritare, si rritja e pagesës për rrezikshmëri në punë, ngritja e koeficientit deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga, kompensimi i ndërrimit të natës dhe i punës jashtë orarit.
Nga ana e tij, shefi i Qeverisë tha se është i përkushtuar për ofrimin e një zgjidhje adekuate, afatgjate dhe përmes ligjit.