Këshilltarja në kuvendin komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Doruntina Hasani, për këtë fillim të vitit shkollor, ka dhënë një varg kritikash për mënyrën e punësimit që janë bërë nga Komuna e Podujevës, njofton Llapi.info
“Është e vërtet që Drejtoria e Arsimit ka shpallur dhe pranuar kuadrin mësimor, përmes një konkursi formal me rezultate që dihen paraprakisht dhe i cakton kryetari me klanin e tij kriminal. Nuk ka për qëllim kualitetin në komunën tonë kriter nuk është dija. Dëshmi për këtë e kemi edhe se si janë pranuar dy persona të cilët nuk ka pasur konkurs fare e që janë Fadil Halimi në” SHMU Naim Frashëri” dhe Fetije Islami “SHMU Shaban Shala””, ka thënë Hasani.
Sipas Hasanit, fillimi i vitit të ri shkollor nuk e ka gjetur të përgatitur Komunën e Podujevës.
“Se nuk ka fare përgatitje po vërehet edhe kur rezultatet e 54 mësimdhënësve të pranuar u shpallen të shtunën, pra me 1 shtator. Çfarë përgatitje mund të bëhen për një ditë se me 3 shtator ka fillu mësimi. Po mos përgatitjet po vërehen edhe nëpër shkolla ku edhe me 4 shtator, nuk kanë pasur mësimdhënësit orar e ditar nëpër shkolla. Tek fëmijët në klasë të parë komuna nuk ka bërë fare përgatitje, sidomos në krijimin e një ambienti më të këndshëm për ata fëmijë, që bazën e arsimimit e fillojnë me një problem shumë të madh. Problemi më madhor për këta fëmijë janë karriget, ku janë të njëjta me të klasës se nëntë gjë që ju mundëson një mësim jo të rehatshëm”, ka shtuar Hasani në seancën e mbajtur në Kuvendin Komunal.
Sipas saj, komuna nuk po e sheh arsimin si boshtin kurrizor të zhvillimit dhe përparimit shoqëror.
“Regjistrimi i nxënëseve në klasën e dhjetë shoqërohet me probleme. Në shkollat e mesme vazhdon të mbetet një numër i madh i nxënësve të gjimnazit. Në raport me shkollat profesionale dhe profilet e shkollave profesionale, nuk janë në përputhje me nevojat e ekonomisë. Këtu gjithashtu kemi një pyetje, a keni mendu me ju bë zgjidhje atyre nxënësve që po bredhin te shkollat dhe nëpër klasë, pa qenë të regjistruar fare duke shkaktuar probleme te profesorët dhe procesi mësimor”, ka thënë ajo./Llapi.info