Sot në Kuvendin Komunal të Podujevës është mbajtur seanca e radhës ku për rend të ditës kanë qenë katër pika, njofton Llapi.info

Në pikën e parë për miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2019 – 2021 ku në projektet e propozuara për këtë kornizë u debatua shumë.

Në lidhje me këtë këshilltarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Doruntinë Hasani e ka quajtur të gabuar këtë kornizë. Ajo e  ka kundërshtuar këtë duke thënë se në këtë kornizë më shumë investohet në asfalt se sa në arsim, bujqësi e shëndetësi.

“Këto shifra në këtë kornizë tregojnë se prioritet vazhdon të jetë asfalti e jo arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe ekonomia. Në asfalt e kanalizime investohen 13.16 herë më shumë se në arsim. Në asfalt e kanalizime investohen 8.18 herë më shumë se në shëndetësi. Në asfalt e kanalizime investohen 26.92 herë më shumë se në kulturë. Në asfalt e kanalizime investohen 9.24 herë më shumë se në bujqësi. Kjo politikë e investimeve tregon qartë për mungesën e një politike dhe vizioni zhvillimor të komunës”, ka thënë ajo.

Tutje Hasani ka deklaruar se në këtë kornizë duhet t’iu shtohen më shumë investime këtyre fushave.

“Në Arsim duhet të duhet të ndahen 1 milion euro në vit, në bujqësi duhet të rriten subvencionet më shumë se që janë tani. Në shëndetësi të ketë rritje me furnizime të mjeteve mjekësore. Në fushën e ekonomisë propozojmë se qysh në vitin 2019–të të ketë ndarje buxhetore prej 150 mijë euro për krijimin e zonës ekonomike dhe për çdo vit të ndahet një buxhet prej 300 mijë euro për subvencionimin e investimeve prodhuese. Në fushën e kulturës kjo kornizë për çdo vit parasheh nga 100 mijë euro për ndërtimin e Shtëpisë se Kulturës, qendrës rinore dhe Bibliotekës së Qytetit”.

Ne propozojmë që objekti aktual i komunës të ri- konstruktohet dhe të bëhet bibliotekë për këtë dhe për qendrën rinore të ndahen 500 mijë euro. Në fushën e sportit të ketë një fond vjetor prej 200 mijë euro për mbështetje të klubeve sportive të komunës tonë dhe për çdo vit të ndahen nga 150 mijë euro për ndërtimin e terreneve sportive rekreative në lagjet dhe fshatrat e komunës.”, ka thënë Hasani./Llapi.info