Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar rreth vendimit të Komunës së Istogut për rrënimin e Burgut të Gurrakocit.
Ajo ka thënë se ky burg nuk duhet të rrënohet, sepse krimet e Serbisë, sipas saj nuk duhet të fshihen, ato, thotë ajo, duhet të shihen, kujtohen e dënohen.
“Që nga përfundimi i luftës është shtyer përpara tendenca e fshirjes së gjurmëve të krimeve që Serbia i ka bërë në Kosovë! Ditëve të fundit kemi dëgjuar edhe për vendimin e Komunës së Istogut, që burgu i Gurrakocit, në të cilin janë dhunuar fizikisht shumë të burgosur shqiptarë të rrënohet.”
“Ky vendim është i papranueshëm dhe ka për qëllim fshirjen dhe amnistimin e krimeve të Serbisë në Kosovë. Krimet e Serbisë nuk duhet të fshihen ato duhet të shihen e kujtohen dhe dënohen. Qasja 20 vjeçare që është ndjekur, na ka sjellë këtu ku jemi! Kanë kaluar më shumë se 20 vite të pasluftës dhe ne nuk kemi as dokumentim të krimeve të luftës, as dënim për kriminelët por ama kemi Gjykatë Speciale për UÇK-në”, ka shkruar ajo në Facebook.
Haxhiu ka kërkuar që Komuna e Istogut të ndalojë ekzekutimin e këtij vendimi, të cilin e quajti skandaloz dhe tha se secili vend në të cilën janë rrahur dhe maltretuar shqiptarët, të bëhet muze.