Një tryezë diskutimi është mbajtur sot mes Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me përfaqësuesit e bizneseve të Odës Ekonomike Amerikane.
Sipas njoftimit të OEA-së, aty u diskutua për drejtësinë funksionale me theks të veçantë në trajtimin e drejtë të bizneseve dhe luftimin e korrupsionit si fenomen mjaft i shprehur në vend.
Arian Zeka nga OEA tha se çështjet që lidhen me sundimin e ligjit, funksionimin e gjykatave dhe zbatueshmërinë e kontratave, kanë zënë gjithmonë vend në mesin e çështjeve më prioritare me të cilat janë përballur investitorët e huaj dhe sektori privat në përgjithësi.
Ai potencoi se Oda Amerikane është mirënjohëse ndaj Ministres së re të Drejtësisë që e ka përfshirë në prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë themelimin e Gjykatës së Veçantë Komerciale, kërkesë kjo e ngritur nga Oda Amerikane që në vitin 2016.
Haxhiu u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për të i çliruar bizneset nga çfarëdo barriera me të cilat mund të përballen, në mënyrë që ato të vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Sipas saj, sistemi i drejtësisë në vend ka rol kyç në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, dhe ai do të fokusohet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si faktorë që shpesh herë kanë ndikuar në largimin e të njëjtëve.
Ndërsa, bizneset e pranishme folën për problemet me të cilat ballafaqohen në raport me gjykatat, përfshirë vonesat në trajtimin e rasteve komerciale, por edhe procedurat e përmbarimit dhe noterizimit.