Nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka asnjë arsye që ky proces të përshpejtohet.
“LDK e ka kryetarin, Isa Mustafa, i cili në koordinim me nënkryetarët, po funksionon mjaft mirë. LDK e ka kalendarin zgjedhor, i cili fillon në maj dhe deri atëherë mos t’i shkon mendja dikujt që ka zgjedhje të brendshme. Tradicionalisht, LDK-ja i ka respektuar afatet dhe kalendarin zgjedhor”, tha Lutfi Haziri.
Ngjashëm si nënkryetari Haziri mendon edhe deputeti i kësaj partie, Ismet Beqiri.
Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se gjithçka po funksionon sipas planit në partinë e tyre, duke shtuar se shumë shpejt do të njoftojnë për datën e saktë të zgjedhjeve të brendshme.
Sipas tij, fokus kryesor i tyre, është t’ia shkurtojnë jetën kësaj Qeverie, e pastaj të mbajnë zgjedhjet brenda partisë.
“Aktualisht ajo që mund të them është që organet e partisë, që të gjitha, funksionojnë pa asnjë problem. Po ashtu edhe kryetari i partisë zotëri Mustafa, po e kryen punën e tij përkundër disa kufizimeve që ende i ka. Kryesia e LDK-së, kryetarët e degëve dhe të gjitha forumet e partisë funksionojnë normalisht. Sidoqoftë me kohë, LDK-ja do të marrë qëndrim edhe për kohën, gjegjësisht datën, caktimin eventual të datës së zgjedhjeve partiake”, thotë Ismet Beqiri.
Në janar të këtij viti, ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafaishte dërguar në Gjermani për shërim pasi që kishte komplikime shëndetësore. Mustafa vazhdon ta drejtojë LDK-në, por sipas parashikimeve, arsyet shëndetësore mund të shtyjnë atë që të mos rikandidojë për postin e kryetarit, duke hapur kështu mundësinë për kandidatura të reja.
Deputeti i LDK-së Ismet Beqiri thotë se është ende herët të flitet për ndonjë emër konkret se kush do të merrte udhëheqjen e partisë.
“Sigurisht që në opinion kanë qenë disa pse jo edhe ambicie të shprehura nga disa prej anëtarëve të LDK-së, qoftë struktura edhe më të larta, por edhe të tjerë, por ne e kemi marrë si shumë normale që të ketë pretendent eventualisht, por konsiderojmë që është ende herët”, thotë Beqiri.
LDK njihet si parti që përpiqet të trashëgojë frymën politike të liderit dhe themeluesit të saj, Ibrahim Rugova. Pas vdjekjes së Rugovës, postin e kryetarit të LDK-së e kishte fituar Fatmir Sejdiu, duke u pasuar nga Isa Mustafa.