Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për çështjen presidentit që ishte një pikë kyçe e ngecjes së koalicionit me Vetëvendosjen. Ai tha se tanimë është vendosur që kjo të diskutohet kur t’i vjen koha dhe kjo do të bëhet vetëm në mes të dy liderëve, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
Derisa vetë tha se nuk do të rikandidojë për kryetar të Gjilanit, Haziri u shpreh i bindur se fitorja është në anën e LDK-së në komunën e Podujevës – tani që do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme – edhe pse si rival kryesor e kanë partnerin e tyre në nivelin qendror, Vetëvendosjen.
“Zgjedhjet në Podujevë nuk i shoh si përplasje, por si garë. Në Kosovë, brezat e rinj në profilin e tyre duhet të mësojnë që konkurrenca dhe rivaliteti nuk janë armiqësi. Rivalët politikë në vlerën tonë politike respektohen dhe nuk sulmohen apo ofendohen. Jemi në një moment kthese dhe institucionet duhet të respektohen për shkak të kushtetutshmërisë”.
“Edhe ne me Vetëvendosjen dhe Kurtin pa asnjë lloj problemi kam negociuar, pavarësisht mendimeve dhe ideologjisë ndryshe, qasjes ndryshe. Angazhimi ka qenë që të mirat e dyanshme t’i shkrijmë dhe t’i bëjmë bashkë”.
“Siç themi ne sërish vjen marsi. Unë e kam sigurinë e plotë që do të fitojmë në Podujevë. Ende nuk është vendosur se kush do të jetë kandidati, por ka emra me përvoja dhe emra të mirë që mund të konkurrojnë. Të gjithë ata që bëjnë garë atje duhet të bëjnë në rivalitet të shëndoshë. Podujeva me Istogun dhe me disa komuna tjera kanë arritur të mbijetojnë edhe krizën e 2007-ës”.
Haziri tha se LDK-ja e ka bërë përfaqësimin më të mirë të mundshëm të ministrave në Qeverinë Kurti me njerëz të përgatitur për fushat përkatëse.
“Në këtë kërkesë politike të sotshme është bërë një përfaqësim korrekt. Nuk mund të themi asnjëherë se është më e mira e mundshme”.